Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali – Roma

Mbulimi Diplomatik

  • Kepi I Gjelbert (nd),
  • Malta (jr),
  • San Marino (jr),
  • Tanzania (nd)

 

Marrëdhëniet dypalëshe

Marrëdhëniet shqiptaro-italiane janë të lashta sa edhe dy vendet tona. Historia është dëshmitare e nje binomi të qëndrueshëm interesash. Roma dhe Venediku, i dhanë, por edhe përfituan shume nga zhvillimi ekonomik, politik dhe kulturor i Ilirise. Nuk është rastësi që në fronet perandorake dhe papale janë ulur figura me origjinë ilire; ashtu siç nuk është rastesi bashkëpunimi ndërmjet Skënderbeut dhe Alfonsit te V-te të Napolit; nuk eshte rastesi që dokumenti i parë i gjuhes  të shkruar shqipe,  “Formula e Pagëzimit”  u zbulua në bibliotekën e Milanos; ashtu siç nuk është rastësi që qindra e mijëra arbëreshë të përndjekur nga pushtuesit osman pas vdekjes se Skënderbeut gjetën strehë e mikpritje në tokën italiane; gjithashtu nuk ështe rastësi qe ne repartet e Garibaldit luftuan e derdhën gjak per lirinë dhe bashkimin e Italisë me qindra arbëreshë. Dihet kontributi i Italisë për pavarësine e Shqiperise dhe sidomos përpjekjet e saj në Konferencën e Londrës, krahas Austrisë për krijimin e një Shteti të pavarur Shqiptar.

Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, krijohen edhe marrëdhëniet e para diplomatike me shtetet e tjera. Një prej tyre është dhe Italia. Ashtu siç e kërkon praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare, një shtet i pavarur do të duhet të kishte dhe përfaqësuesin e vet në vendet me të cilat kishte relata bashkëpunimi. Sapo u krijua qeveria e Ismail Qemalit, ishte tepër herët për të vendosur një përfaqësi diplomatike dhe kështu i takoi qeverisë së Princ Vidit të ishte e para që krijonte një marrëdhënie me Italinë, duke vendosur dhe një përfaqësues të vetin atje, pikërisht Myfid Bej Libohova. Me largimin e Libohovës, patëm një ndërprerje marrëdhëniesh midis Shqipërisë dhe Italisë, për arsye dhe të Luftës së Parë Botërore. Një vit pas Kongresit të Lushnjës, rifilloi përsëri vendosja e përfaqësive diplomatike me Italinë, kështu themelohet dhe legata e parë shqiptare në Romë dhe bashkë me të edhe krijimi i disa konsullatave që do të zgjeroheshin me ardhjen e Zogut në pushtet. Gjatë gjithë regjimit të Ahmet Zogut deri në 7 prill 1939, kur ne u vendosëm nën pushtimin italian, ka funksionuar rregullisht komunikimi reciprok i dy vendeve nëpërmjet përfaqësive të tyre në vendet respektive. Nga viti 1939 deri në vitin 1945, marrëdhëniet me shtetin italian ishin të ngrira, për shkak të Luftës së Dytë Botërore, duke qenë se ne ishim dhe një nga vendet që u pushtua nga fashistët italianë.

Periudha e diktaturave fashiste dhe komuniste në Itali dhe Shqipëri eshte pjesa më e errët dhe më hidhur e historisë së marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Traktati i Paqes me Italinë u nënshkrua në shkurt 1947 në Paris dhe hyri në fuqi më 15 shtator 1947. Në maj 1949 u rivendosën marrëdhëniet diplomatike në rang legate, pas kërkesave te vazhdueshme nga pala italiane. Me 2 shkurt 1954 i Dërguari i Jashtëzakonshëm dhe Ministri Fuqiplote i Republikës Italiane në Tiranë paraqiti letrat kredenciale. Që në vitet e para pas luftës, Qeveritë italiane në politikën e tyre ndaj Shqipërisë, dënonin agresionin fashist te 7 prillit 1939, duke ia atribuar atë fashizmit dhe duke e konsideruar vetëm nje fakt historik. Gjithashtu ato kanë njohur sovranitetin e vendit tonë dhe kufijtë ekzistues.

Pas daljes së vendit tonë, në vitin 1968, nga Traktati i Varshavës, u bënë demarshe nga pala italiane për t’u afruar me qeverinë shqiptare. Njëfarë zhvillimi të marrëdhënieve me Italinë u pa në vitet ‘80. Në këtë periudhë pati shkëmbime delegacionesh të ndryshme, vizita anëtarësh qeverie, një rritje të volumit të shkëmbimeve tregtare si dhe atyre kulturore.

Gjatë viteve ’90, veçanërisht pas ndryshimeve politike në Shqipëri, marrëdhëniet mes të dy vendeve patën një hov të ndjeshëm. Italia në fillimet e demokracisë u evidentua si një prej partnerëve strategjik më të rëndësishëm të vendit tonë, duke asistuar dhe kontribuar në reformat e institucioneve, ato ekonomike dhe konsolidimin e Shtetit të së Drejtës. Më tej  marrëdhëniet dypalëshe u karakterizuan nga një veprimtari intensive në fushën politiko-diplomatike dhe social-ekonomike.Bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona në këtë fazë të re u bë shumëdimënsional dhe shumëplanësh. Mbështetja italiane u bë prezente pothuaj në të gjitha fushat në vëndin tonë, duke rikonfirmuar faktin se Italia ishte donatori dypalësh kryesor i Shqipërisë, si në aspektin e financimeve, ashtu edhe në gjërësinë e spektrit të ndërhyrjeve. Ky intensifikim u evidentua më tej në aspektin e takimeve të ndërsjellta në nivele të larta dhe shumë të larta, por edhe në kontaktet e shpeshta në nivele të tjera, duke bërë që marrëdhëniet midis të dy vendeve të marrin përmbajtje më konkrete dhe më efektive.

Këto marrëdhënie erdhën gjithnjë duke u rritur e thelluar deri në ditët tona, duke u shëndruar në marrëdhënie të mirëfillta partneriteti dhe duke ekulibruar relativisht dhe raportin e import-eksportit në fushën ekonomiko-tregëtare. Kështu ecuria e bashkëpunimit dhe e rolit që ka luajtur Italia ndaj nesh ka njohur intensitet dhe zhvillime mjaft pozitive.

Në marrëdhëniet midis dy vendeve, përveç anës sasiore, ka edhe elementë cilësorë, të cilët i kanë bërë më të afërta dhe kanë konfirmuar karakterin strategjik të marrëdhënieve tona me Italinë. Italia sot ka evidentuar integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimorë, mes tyre dhe Shqipëria, si një prej prioriteteve të politikës së saj të jashtme. Ky nivel marrëdhëniesh është në përputhje të plotë me orientimin e qeverisë shqiptare, e cila marrëdhëniet me Italinë i konsideron të një rëndësie parësore dhe partneriteti strategjik.

 

Zbulo më shumë për shërbimet e Ambasadës

Zbulo më shumë për trokitjen virtuale

 

Go Top