Projektet tona

Me qëllim aksesin e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit, në artin, historinë, kulturën dhe traditën shqiptare por dhe promovimin e këtyre vlerave në kuadër të festave të nëntorit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme jua mundëson këtë nëpërmjet rubrikës virtuale: “Shqipëria në Shtëpinë Tuaj”.

 Situata e vështirë e pandemisë së Covid-19 dhe kufizimet në lëvizjen e zakonshme mes shteteve, ulin mundësinë për ta shijuar dhe realizuar të plotë qëndrimin tuaj në Shqipëri. Tashmë me një klik mund të eksploroni me anë të Turit Virtual 3D rubrikat e edukimit, kulturës, historisë si dhe atraksionet turistike e mrekullitë natyrore me të cilat është bekuar vendi ynë. Imazhet dhe videot më të veçanta të muzeve apo galerive, të trashëgimisë dhe aseteve tona kombëtare në desktopin apo smartphone-in tuaj, duke shërbyer në këtë mënyrë si një urë lidhëse informacioni dhe dije, mes gjeneratave.

https://www.punetejashtme.gov.al/shqiperia-ne-shtepine-tuaj/

Portali e-Visa, është portali më i ri dhe i rëndësishëm përsa i përket ofrimit të një shërbimi bashkëkohor, efiçent dhe të integruar për të huajt të cilët kanë nevojë të aplikojnë për vizë drejt Shqipërisë.

Ky projekt ka filluar në fillim të vitit 2018 dhe parashikohet ë të lançohet në maj 2019. Subjekt i vizave janë të huajt, të cilët hyjnë ose synojnë të hyjnë në Republikën e Shqipërisë, me qëllim qëndrimin, kalimin transit, punësimin, studimin, si dhe daljen e tyre nga Republika e Shqipërisë.

Një aspekt tepër i rëndësishëm i Portalit e-Visa është integrimi i të gjitha strukturave shtetërore kompetente për trajtimin e aplikimeve, i cili rrit ndjeshëm cilësinë e verifikimit të aplikimeve si dhe sigurinë e vendit, duke mundësuar që të gjitha strukturat e autorizuara për trajtimin dhe kryerjen e verifikimeve të aplikimeve nga të huajt të disponojnë dhe të akesojnë të gjithë dokumentet e depozituar elektronikisht në Aplikim. Procedurë që do mundësohet për herë të parë, duke bërë të mundur harmonizimin e strukturave si dhe gjykimin më të mirë dhe transparent për çdo rast.

1.1.      Situata Aktuale në Sektor

 

Një pjesë e konsiderueshme e këtij portali është ndërtuar në kuadër të Platformës SHKO, e cila ka një ndikim të madh tek shtetasit shqiptarë kryesisht por edhe tek shtetasit e huaj.

Me Portalin e-Visa, do të mundësohet një ndërlidhje shumëherë me efikase ndaj shtetasve të huaj, transmetimi i informacionit, si dhe ndërlidhja e të gjitha institucioneve të sipërcituar.

Më poshtë “workflow” në portalin e-Visa.


2.1     Objektivi i Përgjithshëm

Gjatë përcaktimit të llojit të të dhënave dhe informacionit që duhet të jetë subjekt i shkëmbimit është e nevojshme të përcaktohen standardet sipas të cilave do të vendoset rrjeti i cili do të lidhë institucionet, domethënë nëpërmjet të cilit do të kryhet shkëmbimi i informacionit.

Projekti do të krijojë bazën e të dhënave për vizat dhe mjetet e nevojshme të përdoruesit fundor për Ministrinë e Evropes dhe Punëve të Jashtme dhe një web portal per e-viza aplikacion për shtetasit e huaj të vendeve që janë nën regjimin e vizave bazuar në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë.

2.2  Qëllimet

 

·         Lehtësimin e procedurës së aplikimit për vizë;

·         Lehtësimin e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar të jashtëm dhe në territoret kombëtare;

·         Ndihmesën në identifikimin e personave që nuk plotësojnë kërkesat për hyrje, qëndrim ose banim në territoret kombëtare te shtetit shqiptar;

·         Kontribuimin në parandalimin e kërcënimeve ndaj sigurisë së brendshme të vendeve të BE-së dhe Republikes se Shqiperise;

 

2.3  Rezultatet që do të arrihen

 

·         Zhvillimi i një softueri të ri të automatizimit të vizave që do të siguronte dhënien e vizave në përputhje me ligjet në fuqi, ndërmarrjet në përputhje me acquis të BE-së dhe Udhëzimet e Përbashkëta Konsullore dhe se sistemi është i centralizuar, ndërkohë që është i arritshëm globalisht nëpërmjet një ndërfaqeje (interface);

·         standardizimin dhe kontrollin qendror për procesin dhe procedurën e lëshimit të vizave;

·         ndërlidhja e sistemeve të jashtme, me ndërfaqe (interface) standarde;

·         Sigurimi i funksioneve për regjistrimin dhe monitorimin e të gjitha procedurave të lëshimit të vizave, duke lejuar auditimin në të ardhmen;

Diaspora shqiptare, historike dhe e re, përbën një rast unikal. Krahasuar me popullsinë në vendin e origjinës, në trojet etnike, është ndër më të mëdhatë në botë. Kurse si shtrirje gjeografike kap thuajse të gjitha kontinentet e banuara. Në total ajo numëron disa milionë, të përqendruar kryesisht në Turqi, SHBA, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Suedi, Angli, Kanada, Australi, Argjentinë etj. Dukuria e migrimit të shqiptarëve jashtë vendit nuk është e re. Ajo është e dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë me largimin e një mase të madhe banorësh të trevave shqiptare, veçanërisht nga jugu i vendit, pas pushtimit të Gadishullit Ballkanik nga Perandoria Osmane dhe vdekjes së Skënderbeut.Rezultat i këtyre valëve migratore ishte krijimi i ngulimeve të rëndësishme shqiptare në Italinë e Jugut, Greqi, në bregdetin e Dalmacisë e gjetkë. Modeli më i spikatur është komuniteti arbëresh i vendosur  në Siçili e Kalabri.  Sipas disa të dhënave të përafërta, rezulton se aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit rreth 1 milion e 400 mijë shtetas shqiptarë. Pjesa më e madhe, rreth 70-75 përqind e këtij numri, është vendosur në dy vende: Greqi dhe Itali, dhe midis tyre Greqia zë vendin e parë të numrit të përgjithshëm të emigracionit tonë në botë. Në Itali jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë.Përgjithësisht prirja e emigrantëve shqiptarë me kalimin e viteve është orientuar drejt vendeve më të zhvilluara të Evropës Perëndimore (Itali, Gjermani, Holandë, vendet e Skandinavisë, Britani e Madhe etj.), si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.Shtrirja gjeografike e emigracionit shqiptar në vendet pritëse është diktuar nga kërkesat e tregut të punës. Në Greqi dhe Itali, për shembull, emigrantët shqiptarë gjenden të përhapur kudo në territoret e këtyre shteteve, natyrisht me një përqëndrim më të madh në qytetet kryesore.

Samiti i Diasporës po kthehet në një ngjarje mbarëkombëtare duke u trajtuar si eveniment i përbashkët i pjesëtarëve më të suksesshëm e përfaqësues të diasporës. Krijimi i kësaj tradite do të fuqizojë ndjenjën e identitetit dhe bashkimit kombëtar. Ai do të rrisë respektin për diasporën dhe do të nxisë konkluzione praktike në koordinimin dhe angazhimin e saj brenda dhe jashtë vendit. Samiti do të mbledhë figura të spikatura të biznesit, shkencës, artit, kulturës, sporteve dhe studentët e suksesshëm që jetojnë jashtë vendit. Aty do të vlerësohen arritjet dhe shkëmbehen eksperiencat në diskutimin e sfidave kombëtare dhe tejkalimin e tyre. Samiti i pare i Diasporës është mbajtur në 2016, nën kujdesin e veçantë të Ministrise per Evropen dhe Puinet e Jashtme.

Samiti i dytë është këtë vit, perkatesishte me 28 shkurt deri me 3 mars 2019 dhe zhvillohet ne bashkepunim te Ministrise se Shtetit per Diasporen dhe MEPJ

Nën kujdesin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në datën 27-28 qershor 2023, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të organizojë në Tiranë, Samitin e 3-të të Diasporës Shqiptare.

 

Në zbatim të Marrëveshjes “Mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme”, firmosur në korrik 2019 ndërmjet dy Ministrive të Jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë dhe në kuadër të ngritjes dhe konsolidimit të mekanizmave të bashkëpunimit mes dy vendeve për promovimin e vlerave kombëtare, në prill 2020, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, nënshkruan “Protokollin Zbatues në fushën e diplomacisë kulturore”. Ky protokoll synon koordinimin dhe bashkëpunimin mes palëve në fushën e diplomacisë publike, nëpërmjet realizimit të një kalendari aktivitetesh kulturore, pjesë e të cilit është dhe “Colours of Albanians 2022”

Deri më sot janë organizuar 5 edicione të #ColoursofAlbania nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, po ashtu një edicion i ngjashëm është organizuar edhe në Kosovë. Ky është viti i parë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës organizojnë këtë konkurs të titulluar “Colours of Albanians” apo “Ngjyrat e Shqiptarëve”. 

Risia e këtij edicioni është përfshirja akoma më aktive e Diasporës, ndaj fushata e këtij viti synon të shtrihet tek një audiencë sa më e gjerë, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në të gjitha vendet ku jeton e punon diaspora, për të promovuar një ndjesi të përbashkët të identitetit shqiptar dhe përkatësisë sonë evropiane. 

Konkursi funksionon fare thjeshtë: çdokush me një aparat të telefonit të tij apo aparat fotografik, ftohet të fiksojë një moment nga jeta e përditshme, nga udhëtimet, një moment nga jeta personale si banor apo vizitor në Shqipëri dhe Kosovë dhe ta postojë këtë foto/ video në platformën sociale Instagram #ColoursofAlbanians llogaria zyrtare e këtij konkursi, duke përdorur hashtagun #ColoursofAlbanians2022 dhe tag @ColoursofAlbanians

Koleksioni i fotove dhe videove në mbyllje të konkursit i kalon jurisë të përbërë nga shtatë personalitete të njohura të artit e të fotografisë nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora të cilët zgjedhin 50 fotot e videot më të mira të vitit 2022 dhe shpallin 6 fotot dhe videon fituese në një ceremoni përmbyllëse. Këto foto më pas botohen në një album i cili shpërndahet në të gjithë botën nëpërmjet përfaqësive diplomatike të shërbimit të jashtëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Në këtë mënyrë jo vetëm produkti final por edhe vetë procesi, nga 26 nëntori 2021 deri më 17 shkurt 2022, realizon një fushatë me efekt shumë të gjerë në promovimin e Shqipërisë dhe Kosovës, pasi spektatori, kundruesi i së bukurës dhe vlerave është njëkohësisht dhe autor i këtij konkursi.

 Colours of Albanians synon të jetë frytdhënëse në tri drejtime:

 – Promovimi i trashëgimisë kulturore të vendeve tona të transformuar në rrugën drejt integrimit në BE.
 – Forcimi i markës kombëtare dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë e Kosovës nëpër botë.
 – Forcimi i marrëdhënieve mes diasporës me vendin e origjinës dhe promovimi i identitetit kombëtar të komuniteteve të diasporës.
– Fushata do të ketë dy evente kryesore; ceremoninë e hapjes më 26 nëntor 2021 në Shqipëri dhe atë të mbylljes dhe dhënien e çmimeve fituese më 17 Shkurt 2022 në Kosovë. 

“ColoursofAlbanians” është një iniciativë e rregullt vjetore nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës. 

Tema – “Gjurmë identitare” 

Një nga vlerat më të qenësishme të një kombi është kultura e tij. Kultura është themeli i asaj që ne përfaqësojmë si qenie njerëzore. Zakonet, doket dhe traditat janë tabani mbi të cilën ne ndërtojmë dhe projektojmë imazhin tonë, identitetin tonë personal dhe atë kombëtar, sepse trashëgimia dhe historia e përbashkët kulturore mbështet ndjenjën tonë të përkatësisë në një projekt të përbashkët evropian. 

Në kuadrin e përfshirjes së Diasporës, kjo temë merr rendësi të veçantë, sepse synon t’i ftojë të rinjtë shqiptarë kudo që ndodhen të gjurmojnë e të evidentojnë në një mënyrë kreative detajet më autentike të identitetit të tyre kombëtar. 

Tema – “Gjurmë identitare” 

Një nga vlerat më të qenësishme të një kombi është kultura e tij. Kultura është themeli i asaj që ne përfaqësojmë si qenie njerëzore. Zakonet, doket dhe traditat janë tabani mbi të cilën ne ndërtojmë dhe projektojmë imazhin tonë, identitetin tonë personal dhe atë kombëtar, sepse trashëgimia dhe historia e përbashkët kulturore mbështet ndjenjën tonë të përkatësisë në një projekt të përbashkët evropian. 

Në kuadrin e përfshirjes së Diasporës, kjo temë merr rendësi të veçantë, sepse synon t’i ftojë të rinjtë shqiptarë kudo që ndodhen të gjurmojnë e të evidentojnë në një mënyrë kreative detajet më autentike të identitetit të tyre kombëtar. 

Çmimet e Colours of Albanians 2022
Ndarja e çmimeve në këtë edicion të Colours of Albanians është menduar të jetë ndryshe nga edicionet e mëparshme. Gjithsej do të ndahen 10 çmime të cilat përfshijnë një çmim për çdo temë javore dhe çmimi i Diasporës.

Colours of Albanians këtë edicion ka ardhur me 9 tema javore të cilat janë:
· Peziazh dhe Turizëm
· Portret Identitar dhe Familje
· Kulturë dhe Art
· Bashkjetesë Fetare
· Traditë, Zakone dhe Festa
· Arkitekturë
· Sport dhe Rekreacion
· Flora dhe Fauna
· Stil dhe Modë
 Fotoja ose videoja më e mirë e çdo teme do të jetë fituesi i çmimit sipas temës.

 Fotoja ose videoja më e mirë nga Diaspora, pra me hashtagun #DiasporaShqiptare do jetë fitues i Çmimit të Diasporës, i mundësuar nga IOM Albania

Arkiva Historike

a. ARKIVA HISTORIKE 

 

Historia e diplomacisë shqiptare! 

 

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme sjell për publikun një rubrikë të re me titull: “Historia e diplomacisë shqiptare”. Kjo rubrikë synon t’i ofrojë publikut informacion të plotë për pasuritë arkivore historike të diplomacisë shqiptare. Plot 6 milion dokumente të cilat paraqesin dëshmi arkivore mbi ngjarje e figura të caktuara, të cilat lanë gjurmë në politikën e jashtme duke vendosur standarde në rrugëtimin diplomatik të shtetit shqiptar do të publikohen online për të gjithë ata qe janë te interesuar. Kjo rubrikë do të pasurohet çdo javë me informacione dhe dokumente të reja dhe synon të nxisë interesin dhe kuriozitetin publik mbi pasuritë tona arkivore.

 

105 vite shërbimi diplomatik i shtetit të pavarur shqiptar, 1914-2019

Në zbatim të vendimit të 29 korrikut 1913 të Konferencës së Ambasadorëve në Londër e cila njohu shtetin e pavarur shqiptar në kufijtë e përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha,105 vite më parë, me 7 mars 1914, mbërriti në Durrës Wilhem Wieddi në cilësinë e Princit të Shqipërisë i zgjedhur nga  konsensusi i Fuqive të Mëdha. Me 17 mars princi emëroi “ Qeverinë Definitive”. Në krye të saj si kryeministër e ministër i jashtëm u dekretua Turhan pashe Përmeti, me karriere diplomatike në Perandorinë Osmane. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i kaloi formalisht pushtetin e përkohshëm administrativ qeverisë së re në Principatën Shqiptare.

Përveç zgjidhjes së problemeve të mëdha brenda vendit, qeveria e re kishte detyrim që të ndërtonte shërbimin e jashtem të saj e të përcaktonte përparësitë e saj në politikën e jashtme, kryesisht në marrëdhëniet me Fuqitë e Mëdha dhe me vendet fqinje. Ndryshe nga qeveria e Ismail Qemalit që i mungonte njohja ndërkombëtare, “Qeveria Definitive” e Turhan pashe Përmetit u pranua nga ndërkombëtarët si e para qeveri përfaqësuese e shtetit të pavarur shqiptar. Ajo u njoh nga shtetet evropiane e më gjërë të cilët dërguan edhe përfaqësuesit  e tyre diplomatikë. Të parat që dërguan përfaqësuesit e tyre ishin Italia dhe Perandoria Austro-Hungareze. Nga ana tjetër shteti shqiptar i periudhës mars-shtator 1914 ishte i pari shtet me një shërbim diplomatik të zyrtarizuar dhe njohur nga faktori ndërkombëtar. Vonesat në dërgimin e përfaqësuesve të parë diplomatikë të shtetit shqiptar erdhën vetëm për shkak të qëndrimit të Romës e Vjenës zyrtare,  të cilët duke vënë në dyshim financat e shtetit shqiptar dhe cilësinë e stafit përfaqësues, sikurse për të pasë në kontroll orientimet e politikës së jashtme të shtetit të ri shqiptar, kërkuan që ta përfaqësonin ato shtetin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Kjo nuk gjeti konsensusin e faktorit ndërkombëtar.

Emërimet e përfaqësuesve diplomatikë  të Wieddit filluan në maj 1914 pas një shkrese që ai i dërgoi ne 6 maj 1914 kryeqyteteve të Evropës, ku i njoftonte për hipjen e tij në fronin e Princit në Principatën Shqiptare dhe shprehte dëshirën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike  e shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatikë. Emërimi i parë ishte në Vjenë  ku në postin e Ministrit të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë u dërgua Syrja bej Vlora, ndërsa si Konsull i Përgjithshëm Nderi Bondi bej Vlora. Në Romë u emërua si Ministër Fuqiplotë Adamidh bej Frashëri, i cili pas dy muajve u zëvendësua me Myfid bej Libohovën. Në Greqi u emërua si Ministër Fuqiplote Mehmet bej Konica.

Në shtator 1914 filloi Lufta e Parë Botërore  e cila i dha fund shtetit të Vidit dhe e ktheu Shqipërinë në shesh lufte të përplasjes së ushtrive kundërshtare.

105 vite shërbimi diplomatik i shtetit të pavarur shqiptar, 1914-2019

 

b. KATALOGËT ONLINE MBI PASURITË ARKIVORE TE MEPJ 

 

c. ARKIVA E RUBRIKËS 

 

 Konferenca e Paqes, Paris 1919, dhe Shqipëria

 

Me 18 janar 1919, filloi punimet Konferenca e Paqes e Parisit në një nga sallat luksoze të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Frances. Konferenca e Paqes, e para e këtij lloji për nga formati i pjesëmarrësve dhe problemet që pritej të zgjidhte, u mblodh pas konfliktit të madh botëror 1914-1918. Fituesit e luftës u mblodhën për të vendosur një rregull të ri botëror që katastrofa të tilla mos të ndodhnin më. Për herë të parë mbërriti në Evropë Presidenti amerikan Wilson duke ballafaquar dy këndvështrime të ndryshme për rregullimet e pasluftës, atë amerikan mbështetur në 14 pikat e Willsoni ku spikaste parimi i vetvendosjes, dhe traditën e vjetër evropiane mbështetur në parimin e ruajtjes së ekujlibrave midis fituesve e shmangien e luftës. Në fakt në 20 vite filloi konflikti i dytë botëror duke nxjerrë në pah gabimet e vendimarrjes në Paris 1919. Zyrtarisht Konferenca e Paqes zgjati deri në vitin 1920, por në gjashtë muajt e parë të saj u morën vendimet kyçe dhe u vunë në lëvizje zinxhirët jetikë të ngjarjeve.

Në muajt që kaluan në Paris, në një hapësirë të re gjeopolitike të krijuar pas shembjes së 4 perandorive, paqbërësve iu desh; të vijëzonin kufij të rinj në hartën e Evropës, por edhe të mendonin për Azinë, Afrikën e Lindjen e Mesme, të përballeshin me nacionalizmat që lindën e u zunë vendin perandorive, të hartonin traktat paqeje me Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë e Bullgarinë, por edhe të gjenin mjetet që të shmangnin një konflikt tjetër e të ofronin siguri kolektive. Një i tillë do të ishte krijimi i Lidhjes së Kombeve. Kryetari i Konferencës, kryeministri francez Klemanso, iu ankua një kolegu “ Eshtë shumë më e thjeshtë të bësh luftë se të bësh paqe”.

Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në një shesh betejash midis paleve kundërshtare të cilat në fund të saj u ndanë në fitues e të humbur. Elita politike shqiptare u angazhua që atdheu i tyre të mos humbiste në pazaret e mëdha të Konferencës së Paqes, dhe të gjendej një mbështetës i madh dhe i interesuar për Shqipërinë midis Fuqive fituese të luftes. Më të interesuarat dhe simpatizante të pavarësisë së Shqipërisë ishin Italia dhe SHBA.

Në dhjetor 1918 nën kujdesin e Italisë, një ndër mbeshtetëset e pavarësisë së Shqipërisë në 1913, u krijua Qeveria e Përkohshme e Durrësit e cila do të dërgonte delegacionin e saj zyrtar si përfaqësuese në Paris, të kryesuar nga kryeministri Turhan Pasha. Në Paris mbërriti edhe një delegacion i kryesuar nga Esat Pasha në cilësinë e kryetarit të vetëshpallur të qeverisë shqiptare. Ky dualizëm në përfaqsim nuk i bënte dobi trajtimit të statusit të Shqipërisë i cili pas Luftës së Parë Botërore dhe ndryshimeve të ndodhura ishin vënë përsëri në diskutim. Në kryeqytetin francez, për të mbështetur qeverinë e Durrësit dhe të ardhmen e pavarësisë së Shqipërisë dhe kufijve të saj territorial, mbërritën edhe përfaqësues të kolonive shqiptare në SHBA, Rumani, Turqi, etj, të cilat herë pas here organizonin takime të përbashkëta me delegacionin zyrtar të Shqipërisë.

Në ceremonine e festimeve për Ditën e Pavarësisë së Amerikës, në 4 korrikut 1918, Fan Noli i ftuar si përfaqësues i shqiptarëve në Amerikë, arriti të takonte presidentin Willson dhe ti fliste për Shqipërinë dhe nevojën për mbështetje nga SHBA në Konferencën e Paqes. Pasi e dëgjoi me vëmendje Nolin, Willson u përgjigj “ Une do të kem një zë në Konferencën e Paqes dhe do ta përdor këtë zë edhe në emër të Shqipërisë”, .

Shqiptarët kudo ndodheshin, mbështetën platformën dhe qëndrimin e delegacionit shqiptar për rinjohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe paprekshmërinë se saj territoriale duke korrigjuar gabimet e së shkuarës. Ata demostruan kohezion e vitalitet, duke lënë mënjanë përkatësinë fetare e krahinore, duke demostruar në këtë mënyrë vlerat më të mira evropiane në mbrojtje të të drejtave të tyre .

 

Nga Konferenca e Paqes në Paris, Shqipëria doli pa një zgjidhje finale për çështjen e statusit të saj dhe kufijve tokësorë, por ama shpëtoi nga platformat copëzuese të trungut të saj të diskutuara në këtë Konferencë, e kjo falë mbështetjes së madhe të SHBA. Çështja shqiptare do të ridiskutohej përsëri në Konferencën e Ambasadorëve 1921, ku do të merrej vendimi final për Shqipërinë në kushte të reja pas krijimit të Lidhjes së Kombeve 1920.

Shërbimi diplomatik i një shteti nuk do të ishte i mundur pa historinë e tij. Shërbimi diplomatik shqiptar ka një histori mbi 100 vjeçare që nga krijimi i shtetit të pavarur shqiptar  e deri në ditët tona, histori që dëshmohet në pasuritë arkivore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përbën identitetin e këtij shërbimi. Këto pasuri numërojnë mbi 6.5 milion dokumente arkivore, 3500 marrëveshje dypalëshe dhe rreth 600 marrëveshje shumëpalëshe, në shërbim të politikës sonë të jashtme dhe të interesave njohëse e studimore të publikut të gjerë brenda e jashtë vendit. Nga njëra anë, politika e jashtme e një shteti i referohet vazhdimisht historisë së saj në trajtimin e çështjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe në vite e dekada. Nga ana tjetër historia e politikës së jashtme, si pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare, është një dritare e fuqishme për publikun për të njohur trashëgiminë e raporteve  historike me të tjerët dhe për të kuptuar më mirë të ardhmen.

Që kjo të arrihet, publiku, institucionet ndërkombëtare, duhet t’i prekin realisht faktet historike që presin në kutitë arkivore për të dëshmuar. Në kushtet e botës virtuale ku jetojmë, digjitalizimi i rekordeve tona arkivore dhe burimeve tona të informacionit është mënyra e vetme që ne të realizojmë objektivat tona për hapje të institucionit, diplomaci transparente nëpërmjet ruajtjes së vlerave historike.

  1. Qëllimi

Konkretisht me digjitalizimin e trashëgimisë tonë dokumentare historike synojmë:

Ruajtjen e një trashëgimie dokumentare antikuarë mbi 100-vjecare të diplomacisë shqiptare e cila është në rrezik duke u përdorur në origjinal;

Ruajtjen dhe publikimin e identitetit tonë si shërbim diplomatik i shtetit shqiptar duke u prezantuar brenda dhe jashtë vendit me vlerat tona më të mira historiko-diplomatike;

Rritjen e numrit të studiuesve dhe të interesuarve për të njohur historinë e diplomacisë shqiptare. Kjo i hap rrugë studimeve të mirëfillta e të argumentuara mbi politikën e jashtme shqiptare, si dhe ndërgjegjëson shoqërinë shqiptare dhe komunitetin ndërkombëtar se cilave vlerave u përkasim;

Ofrimin e një shërbimi më të shpejtë dhe më cilësor pa rrezikuar pasurinë tonë historike;

  1. Përfituesit

Arkivi historik i MEPJ ekziston prej 55 vitesh dhe interesi publik për të sa vjen e shtohet, jo vetëm se ky fond arkivor i konsideruar politik gjatë Luftës së Ftohtë ka qenë krejt i mbyllur për publikun, por nga ana tjetër çdo vit hapen dokumente të reja që kanë kaluar 25 vite nga krijimi i tyre dhe shprehin interes publik. Rreth 100 -150 studiues në vit vijnë në Sallën tonë të Studimit për të marrë informacion historik apo për të studiuar rekordet tona arkivore mbi historinë e politikës se jashtme shqiptare. Kërkesat janë edhe më shumë, por duke shërbyer dokumentin origjinal bëhet kujdes në ruajtjen e tij, kështu shumë kërkesa vonojnë të realizohen dhe studiuesit tërheqin kërkesën e  tyre.

Shqiptarë që jetojnë apo studiojnë jashtë Shqipërisë i drejtohen MEPJ për t’iu ofruar mundësinë e kërkimit arkivor online dhe sigurimin e kopjeve të digjitalizuara të dokumenteve arkivore, të cilat ne aktualisht nuk i ofrojmë dot. Kjo e bën institucionin më të mbyllur ndaj shoqërisë civile. Digjitalizimi i rekordeve tona arkivore dy apo trefishon numrin e të interesuarve për këtë fond arkivor shume të kërkuar, dhe ofron shërbimin e munguar në të gjitha anët e botës ku shprehet interes, brenda kuadrit ligjor në fuqi. Nga ana tjetër, të gjitha përfaqësitë tona në botë gjatë gjithë vitit  kërkojnë dokumentacion historik për momente të ndryshme të marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe, për historikun e marrëdhënieve, etj. Realizimi i këtyre kërkesave vështirësohet për shkak të përdorimit të dokumentit origjinal duke u bërë shpesh pengesë për kryerjen e misionit të tyre në kohë e cilësi.

 

Projektet tona

Go Top