Mbulimi Diplomatik
- Moldavia (jr)
Marrëdhëniet dypalëshe
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë janë vendosur në vitin 1922 dhe më vonë, janë hapur përfaqësitë diplomatike në të dy vendet. Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, kur të dy vendet u përfshinë në kampin komunist, marrëdhëniet dypalëshe kanë njohur zhvillim në të gjitha fushat, zhvillim ky që ruhet dhe është avancuar edhe më tej në ditët e sotme. Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Bullgari vlerësohen shumë të mira, me një bashkëpunim të shtrirë pothuaj në të gjitha fushat. Të bazuara në lidhjet historike, kulturore, njerëzore dhe ekonomike-tregtare, si dhe në shtratin e ri të integrimit euroatlantik, ato krijojnë mundësi shumë të mira për intensifikimin e tyre në të ardhmen, në linjën e vlerave evropiane dhe me impakt përmirësimin e vazhdueshëm të marredhënieve në rajon.Bullgaria i ka dhënë mbështetjen e saj Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe vijon ta japë për hapat e mëtejshme të integrimit në BE. Ndërmjet dy vendeve ka patur në vijimësi shkëmbim vizitash politike të nivelit të lartë (President, Kryetar Parlamenti, Kryeministër, Ministër i Jashtëm).
-Bashkëpunimi në kuadrin rajonal dhe atë ndërkombëtar
Shqipëria dhe Bullgaria bashkëpunojnë ngushtë edhe në kuadrin e një sërë organizatash dhe organizmash ndërkombëtare e rajonale, i cili realizohet në suazën rajonale, në kuadër të: Nismës së Europës Qëndrore (CEI/NEQ), Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore (SEECP), Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), SELEC dhe Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC/BEDZ), dhe në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar, në kuadër të OKB-së, NATO-s, BE-së, OSBE-së, etj.
-Bashkëpunimi ekonomik
Një nga drejtimet kryesore të bashkëpunimit dypalësh është bashkëpunimi në fushën ekonomiko-tregtare. Bullgaria është konsideruar një partner tradicional ekonomik për Shqipërinë. Shqipëria dhe Bullgaria janë të angazhuara në mënyrë konkrete për të punuar për konkretizimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve. Nënvizojmë faktin, se ndërmjet dy vendeve janë miratuar dhe nënshkruar një sërë marrëveshjesh në fushën ekonomike që përbëjnë kuadrin e nevojshëm ligjor për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik. Ndërmjet dy vendeve ekziston një numër i konsiderueshëm marrëveshjesh, rreth 30 të tilla, të cilat rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në fushat nga më të ndryshme më interes të ndërsjellë. Në Shqipëri ushtrojë aktivitetin e tyre një sërë kompanish bullgare, të cilat operojnë kryesisht në fushën energjitike, të furnizimit me materiale për ndërtimin e rrugëve; në fushën e ndërtimit të rrugëve; në fushën e krediteve; të prodhimit të lëngjeve, të furnizimit me cigare, etj.
-Bashkëpunim në fushën e arsimit dhe kulturës
Një fushë tjetër e rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, që ka njohur zhvillim dekadat e fundit, është arsimi, organizimi i kurseve verore për gjuhët përkatëse, shkëmbime studentësh dhe pedagogësh ndërmjet universiteteve të të dy vendeve, shkenca, kultura, artet, shëndetësia, turizmi, bashkëpunimi në fushën e arkivave të filmit, bibliotekave, trashëgimisë kulturore, etj.
-Diaspora shqiptare
Si urë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh kanë shërbyer edhe marrëdhëniet historikisht të mira ndërmjet dy vendeve. Përmendim këtu faktin, se në fund të shekullit 19 – fillimi i shekullit 20, kryeqyteti i Bullgarisë, Sofja, ka shërbyer si “vatra” ku mblidheshin patriotët shqiptarë dhe ku është është kryer një veprimtari shumë e pasur për çështjen kombëtare shqiptare. Ndër to veçojmë: organizimin e parë të diasporës shqiptare përmes shoqërisë kulturore-arsimore “Dëshira”, e cila u themelua në vitin 1886; hapjen në vitin 1897 të shtypshkronjës “Mbrodhësia”; në Bullgari kanë qëndruar shumë figuara të shquara shqiptarësh, si Ismail Qemali e Shahin Kolonja, Gjergj Qiriazi e Themistokli Gërmenji, Thimi Mitko, Pandeli Cale e Mit’hat Frashëri, por edhe shumë të tjerë.
Zbulo më shumë për shërbimet e Ambasadës
Zbulo më shumë për trokitjen virtuale