Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Igli Hasani

SH.T.Z. Igli Hasani, prej shtatorit 2023 mban postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Më herët, gjatë periudhës 2021-2023, Z. Hasani ka mbajtur pozicionin e Koordinatorit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për Aktivitetet Ekonomiko-Ambientale.

Përpara se t’i bashkohej OSBE-së, Z. Hasani ishte Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë (2018 – 2021).

Në vitin 2019 drejtoi Grupin e Kontaktit të Mesdheut, si pjesë e Trojkës së OSBE.

Gjatë kryesimit të Presidencës shqiptare të OSBE në vitin 2020, Hasani ishte Kryetari i Këshillit të Përhershëm të organizatës, ndërsa në vitin 2021 mbajti detyrën e Kryetarit të Grupit të Bashkëpunimit të Partnerëve Aziatikë.

Ai ka eksperiencë 17 vjeçare pune (2001 – 2018) në Ministrinë e Mbrojtjes, në disa poste të larta drejtuese.

Z.Hasani ka ndjekur studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale për Filozofi-Sociologji, Fakultetin e Drejtësisë si dhe studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, në King’s College, Londër.

Njëherësh, ai ka kryer një sërë kualifikimesh të larta profesionale në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, Qendrën Marshall në Gjermani etj.

Integrimi evropian është një ndër prioritetet më madhore të vendit tonë dhe programi qeverisës 2017-2021, përsa i përket këtij aspekti, ka si synim fillimin sa më parë të negociatave për anëtarësim dhe hapjen e kapitujve kryesorë të Acquis. Në këtë drejtim, shërbimi ynë diplomatik do të shërbejë si pararojë e të gjithë procesit, në funksion të një bashkëpunimi më të strukturuar me vendet anëtare BE-së.

Cilësia e procesit të integrimit lidhet drejtpërsëdrejti me projektet e bashkëpunimit rajonal, ku do të synojmë një përputhje më të mirë të prioriteteve politike të përcaktuara dhe instrumenteve financiarë që Shqipëria ka në dispozicion. Nga ana tjetër, shpejtësia e procesit të integrimit lidhet gjithashtu me dinamikën e përfaqësimit tonë diplomatik në vende dhe në momente kyçe, ndaj dhe Qeveria jonë do të synojë fuqizimin e shërbimit diplomatik në vende kyçe për mbarëvajtjen e procesit të anëtarësimit.

Me publikimin e Strategjisë së zgjerimit nga ana e KE-së në shkurt të 2018, në Ballkanin Perëndimor, pas shumë vitesh, rikthehet diskutimi me nota strategjike ku në fokus janë argumente si: “trasformimi”, “procesi i zgjerimit” dhe “konsolidimi i reformave”. Ky dokument është një dëshmi qartë e vëmendjes së BE-së ndaj Shqipërisë, por edhe vendeve të rajonit, ku prespektiva e anëtarësimit ka dëshmuar të jetë tashmë një forcë e pazëvendësueshme për demokratizimin dhe stabilitetin tonë.

Më 17 prill 2018, Komisioni Evropian prezantoi paketën e zgjerimit, ku rekomandoi në mënyrë të pakushtëzuar hapjen e negociatave të anëtarësimit midis Shqipërisë dhe BE-së. Rekomandimi ishte rezultat i njohjes dhe vlerësimit të qartë të arritjeve të vendit tonë në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe rezultateve të shënuara në implementimin e reformave në fushën e gjyqësorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratën publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Po ashtu, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme (GAC), në qershor 2018, në konkluzionet e tij përsa i përket zgjerimit, përshëndeti përparimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në kuadër të zbatimit të prioriteteve kryesore të vendosura nga BE-ja për fillimin e negociatave të anëtarësimit, si dhe përcaktoi rrugën për hapjen e negociatave në qershor të 2019. Konkluzionet e Këshillit janë një tjetër dëshmi se Shqipëria vendi ynë ka ndërmarrë një kurs të pakthyeshëm reformash gjithëpërfshirëse dhe transformuese, të cilat do të thellohen më tej në muajt e ardhshëm.

Vendi ynë aktualisht ka hartuar një plan të detajuar veprimi për të përmbushur rekomandimet e Këshillit të qershorit 2018 dhe të Raportit të Komisionit Europian të prillit 2018, për zbatimin e të cilit raportohet rregullisht tek Komisioni Evropian dhe tek vendet anëtare të BE. Në shtator 2018, Shqipëria filloi procesin ‘screening’, i cili ka të bëjë me shqyrtimin analitik të Acquis të BE-së dhe është hapi i parë i përgatitjes së bisedimeve të anëtarësimit. Nëpërmjet një kalendari takimesh që do të zgjasin edhe gjatw vitit 2019, do të mundësojmë familjarizimin me legjislacionin e BE-së, çka do të na i qartësojë dhe do të na i bëjë më konkrete kriteret që do të duhet të përmbushim.

“Procesi i Berlinit”

Procesi i Berlinit” u çel me Konferencën për Ballkanin Perëndimor, që Kancelarja gjermane Angela Merkel organizoi në Berlin, më 28 gusht 2015, me kryeministrat, ministrat e punëve të jashtme dhe ministrat e ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Berlin u ra dakord që konferenca të shërbente si kuadër për një periudhë prej katër vjetësh, gjatë së cilës do të ndiqen përpjekjet për të bërë progres të mëtejshëm në procesin e reformave, në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe dhe të brendshme dhe në arritjen e ripajtimit midis dhe brenda shoqërive në rajon. Konferenca shprehu angazhimin dhe dha direktivat për forcimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon, veçanërisht për ndërlidhjen e infrastrukturës së transportit dhe energjisë midis vendeve të rajonit dhe me Bashkimin Evropian. Këto çështje u ndoqën dhe u avancuan më tej në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vjenë, më 27 gusht, në Paris, më 4 korrik 2016 dhe në Trieste më 12 korrik 2017.

Takimi i radhës i “Procesit të Berlinit” u prit nga Mbretëria e Bashkuar më 10 korrik 2018 në Londër. Samiti u përqëndrua në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke u fokusuar veçanërisht në rritjen e stabilitetit ekonomik me qëllim përmirësimin e mjedisit të biznesit, nxitjen e sipërmarrjes, adresimin e papunësisë së të rinjve dhe promovimin e ndërlidhjes rajonale. Samiti gjithashtu kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë për të ndihmuar në trajtimin e kërcënimeve të përbashkëta, duke përforcuar angazhimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për demokracinë, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Lehtësimi i bashkëpunimit politik – për të ndihmuar rajonin të zgjidhë mosmarrëveshjet dypalëshe dhe të kapërcejë çështjet e trashëgimisë që rrjedhin nga konfliktet e viteve 1990 dhe për të forcuar demokracinë – ishte gjithashtu një nga qëllimet e Samitit të Londrës. Samiti i ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit do të zhvillohet në Poznan të Polonisë, si vendi që ka presidencën e rradhës të kësaj nisme të rëndësishme.

Mbi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Në vitin 2009,  Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit. Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s,  Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke  avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26  Krerët e Shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet  të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin. Ky vendim erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes së një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë.

Më 25 prill 2008 Shqipëria dhe Kroacia nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO. Agjenda e këtyre bisedimeve përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore që të dy vendet trajtuan me ekspertët e Aleancës, me qëllim rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të përmbushur në të ardhmen të gjitha detyrimet që lidheshin me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë.

Nëpërmjet një serie takimesh dypalëshe, midis ekipeve të ekspertëve të NATO-s dhe ekipeve të institucioneve shqiptare, u trajtua dhe u konfirmua zyrtarisht interesi, vullneti dhe mundësitë e Shqipërisë për të plotësuar detyrimet dhe angazhimet politike, ligjore dhe ushtarake të anëtarësimit në NATO. Produkt final i këtyre diskutimeve ishte një kalendar me afate kohore për përmbushjen e kritereve dhe reformave të domosdoshme.

Periudha e përgatitjes për anëtarësim shërbeu për intensifikimin e përpjekjeve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të thelluar në të gjitha drejtimet reformën e mbrojtjes, duke përshpejtuar realizimin e prioriteteve sipas standardeve të NATO-s. Kështu, u punua me përparësi për plotësimin e kuadrit të dokumenteve bazë strategjike të rishikuara, si Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FARSH 2007-2020, Udhëzimi për Planifikimin Strategjik 2008, etj.

Më 9 korrik 2008, të 26 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan gjatë një ceremonie në selinë e NATO-s në Bruksel Protokollet  e Anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë, akte këto juridike që i bashkëngjiten Traktatit të Uashingtonit duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm institucional  për anëtarësimin e të dy vendeve në Aleancën Atlantike.

Shqipëria mori për të parën herë pjesë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërsa një ditë më vonë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.

Anëtarësimi në NATO ka krijuar mundësinë që, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen e Aleancës, të jepet kontribut në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike e, për rrjedhojë, edhe me sigurinë kombëtare. Si anëtare e NATO-s, Shqipëria është në pozita më të mira për të konfirmuar interesat e saj kombëtare dhe për të rritur prestigjin dhe reputacionin kombëtar. Pas anëtarësimit në NATO, përpjekjet e Shqipërisë u fokusuan në transformimin e forcave të armatosura në një forcë me përmasa më të vogla, tërësisht profesioniste, e aftë për t’u dislokuar dhe e ndërveprueshme me NATO-n. Ky integrim dhe modernizimi i Forcave të Armatosura është shoqëruar  me angazhimin për reduktimin e depove të municioneve, si dhe shkatërrimin e një sasie të madhe municionesh.

Gjithashtu, Shqipëria zgjeroi kontributin e saj  në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan, si në ISAF dhe Misionin Resolute Support, pas vitit 2014. Gjatë kësaj periudhe, me qindra ushtarakë shqiptarë shërbyen me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë dhe sakrifica në disa prej komandave rajonale të ISAF-it,  duke përmbushur më së miri detyrat e ngarkuara nga komanda e ISAF-it. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë. Ajo i ka kushtuar dhe kushton vëmendje të veçantë mbështetjes së bashkëpunimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe procesit politiko-ushtarak të ridimensionimit të rolit të KFOR-it në Kosovë.

Edhe në shekullin e 21’, objektivi kryesor i Aleancës mbetet  përballimi i sfidave të sigurisë.  Ashtu si edhe më parë siguria e vendeve anëtare të NATO-s bazohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit që është edhe parimi themelor i “mbrojtjes kolektive” të Aleancës.  Ky nen, i cili përcakton se sulmi ndaj një vendi anëtar të NATO-s është sulm ndaj të gjitha vendeve, duke parashikuar mbrojtën kolektive, mori një rëndësi të veçantë si pasojë e rreziqeve të sigurisë që u materializuan gjatë vitit 2014 dhe që u trajtuan gjerësisht në Samitin e NATO-s në Uells.

Në Uells, vendet aleate ndërmorën, nëpërmjet adoptimit të Planit të Veprimit (RAP), hapat e nevojshme për të përforcuar sigurinë euroatlantike ndaj kërcënimeve që vijnë nga lindja dhe nga jugu i territorit të vendeve aleate. Krahas mbështetjes për Ukrainën përmes krijimit të pesë fondeve të mirëbesimit, vendet aleate ritheksuan angazhimin e tyre në mbështetje të Afganistanit. Po ashtu, ata u angazhuan për ndaljen e rënies së shpenzimeve të mbrojtjes dhe rritjes së tyre gjatë një dekade deri në nivelin 2% të GDP-së, si dhe vunë theksin mbi rëndësinë e forcimit të lidhjes Transatlantike.

Duke ritheksuar rëndësinë e Politikës së NATO-s së Dyerve të Hapura, vendet anëtare vendosën hapjen e bisedimeve intensive me Malin e Zi, me qëllim që brenda vitit 2014 të merrej një vendim nëse Mali i Zi do të ftohej për t’u anëtarësuar në NATO. Gjithashtu, Aleatët i afruan Gjeorgjisë një paketë të zgjeruar masash në ndihmë të përgatitjeve të këtij vendi për anëtarësim në NATO.

Në një kohë përcaktuese për sigurinë Euroatlantike dhe në kuadër të kërcënimeve dhe sfidave që vijnë nga shumë drejtime, angazhimet e Uellsit u ritheksuan dhe u çuan më tej gjatë Samitit të Aleancës në Varshavë, më 8-9 korrik të vitit 2016. Duhet theksuar se të gjithë vendimet që u morën në Varshavë kanë natyrë mbrojtëse dhe transparente dhe se ato nuk kanë për qëllim të rrisin tensionet në Evropë.

Në Varshavë, vendet aleate ritheksuan angazhimin e marrë në Uells për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Në vitin 2015, pas një periudhe të gjatë rënieje, vendet aleate dëshmuan një rritje të vogël të shpenzimeve të përgjithshme të mbrojtjes. Gjithashtu, vendet e NATO-s u angazhuan që të përforcojnë rrjetet e tyre kompjuterikë, si pjesë e përpjekjeve të përgjithshme të vendeve të NATO për të rritur elasticitetin e përgjigjeve të tyre ndaj kërcënimeve kibernetike. Po ashtu, NATO mori komandën e sistemit të mbrojtjes anti-raketë të ndërtuar nga SHBA në Evropë për të mbrojtur territorin aleat ndaj kërcënimeve rraketore nga jashtë territorit Euroatlantik.

Vendet aleate trajtuan, gjithashtu, nevojën për më shumë shkurajim dhe parandalim në lindje të Aleancës, duke zgjeruar më tej praninë ushtarake të NATO-s atje, nëpërmjet vendosjes në pranverën e vititi 2017 të katër batalioneve shumëkombëshe në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Kjo vendosje përbën një kontribut të  qenësishëm, të proporcionuar dhe mbrojtës për sigurinë e përbashkët të vendeve të NATO-s, si dhe, njëherësh, përbën një sinjal të qartë që vendet aleate janë të vendosura ta mbrojnë  njëri-tjetrin në respekt të arkitekturës së sigurisë evropiane. Vendet e NATO-s ranë po ashtu dakord që shkurajimi duhet plotësuar me një dialog kuptimplotë me Rusinë me synim transparencën reciproke dhe reduktimin e rreziqeve. NATO vazhdon të mbetet e hapur për dialog me Rusinë dhe vlerëson se Këshilli NATO-Rusi ka një rol të rëndësishëm si një forum për dialog dhe shkëmbim informacioni, për reduktimin e tensioneve dhe rritjen e parashikueshmërisë.

Për sa i përket projektimit të  stabilitetit përtej kufijve të territorit aleat, në Varshavë  u miratua nisma për të filluar trajnimet në Irak për ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve  të forcave ushtarake irakene që përballen me ISIL/Da’esh. Po ashtu, vendet aleate vendosën që  avionët AWACS (Radar) të NATO-s të shërbejnë për t’i dhënë informacion të detajuar Koalicionit Global Ndërkombëtar kundër ISIL-Da’esh. Vendet aleate ranë dakord për një rol më të spikatur të NATO-s në Mesdheun Qendror, duke rritur më tej bashkëpunimin me Bashkimit Evropian, krahas bashkëpunimit aktual me operacionin SOPHIA në detin Egje, që synon prerjen e linjave të trafikimit të qenieve njerëzore. Në të, gjithashtu u ra dakord për të lançuar edhe një nismë të re në funksion të parandalimit të fluksit migrator nga vendet e Afrikës së veriut – nismë e quajtur See Guardian.

Duke qenë se Bashkimi Evropian është një partner unik dhe thelbësor për NATO-n, Aleanca dhe Bashkimi Evropian nënshkruan në Varshavë një deklaratë të përbashkët mbi partneritetin mes dy organizatave me synim intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të tilla të rëndësishme si lufta ndaj  kërcënimeve hibride dhe siguria detare. Po ashtu, vendet e NATO-s ritheksuan angazhimin e tyre për vazhdimin e misionit “Resolute Support” në Afganistan përtej këtij viti dhe për të vazhduar kontributin financiar për forcat afgane deri më 2020. Vendet aleate ritheksuan angazhimin e tyre për të ndihmuar Ukrainën që të jetë një vend i pavarur, sovran dhe i angazhuar në mënyrë të vendosur për demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe u angazhuan në mbështetje të aspiratave për integrim euroatlantik të Gjeorgjisë dhe të aftësitë  të mbrojtjes të  Moldavisë me synim aftësimin e për t’i rezistuar presionit nga jashtë dhe për të çuarjen përpara të reformave demokratike.

Sa i takon Shqipërisë, ajo ofron në cilësinë e vendit aleat një kontributit proporcional dhe thelbësor si në kuadër të angazhimeve të Uellsit, ashtu edhe për nismat e Aleancës në kufijtë veriorë dhe jugorë të saj. Krahas angazhimit të saj në kuadër të shkurajimit dhe parandalimit në lindje të Aleancës,  Shqipëria i dedikon vëmendje të shtuar kontributit tonë në angazhimin e Aleancës për përballjen e sfidave që vijnë nga krahu jugor. Kështu, që prej vitit 2016 Shqipëria kontribuon me asete detare në misionin e NATO-s në Egje, kontribut i cili u rikonfirmua për vijimësi në vjeshtën e vitit 2017. Në linjë me zotimet e NATO-s në Varshavë, ku u ritheksua vendosmëria aleate për të asistuar Afganistanin për sa kohë që kjo gjë të jetë e nevojshme, Shqipëria e ka dyfishuar gjatë vitit të kaluar kontibutin e saj me trupa në Misionin “Resolute Support”, kontribut ky që pritet të rrite edhe më tej gjatë këtij viti.

Samitet e viteve të fundit nënvizuan gjithashtu rëndësinë që ka angazhimi i Aleancës në forcimin e partneriteteve dhe rritjen e kapaciteteve të sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Në samitin e Brukselit në maj të vitit të kaluar, NATO u anëtarësua zyrtarisht  në Koalicion Global për shkatërrimin e të ashtuquajturit shtet islamik, duke shtuar kështu mundësitë e saj për të kontribuar në mënyrë thelbësore në këtë sfidë tepër të rëndësishme. Edhe vendi ynë, në cilësinë e tij si aleat dhe pjesëmarrës në Koalicionin Global për luftën kundër terrorizmit, përpos kontributit konkret në këtë Koalicion, ka hedhur hapa konkretë për të ngritur së shpejti edhe një Qendër Ekselence për luftën kundër fenomenit të Luftëtarëve Terroristë të Huaj.

E fundit, por jo nga rëndësia, një nga objektivat tonë në Samitet e fundit të NATO-s ka qenë promovimi i politikës së dyerve të hapura, duke konfirmuar mbështetjen tonë për anëtarësimin e Malit të Zi, i cili në qershor 2017 u bë vendi i 29 aleat i NATO-s, inkurajimin e shteteve të tjera fqinje që aspirojnë anëtarësimin, si dhe për një vëmendje të shtuar të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe në Kosovën, me synim eliminimin njollave gri nga rajoni dhe konsolidimin e paqes dhe sigurisë aty.

Shqipëria ka fituar një status dhe rol të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, rrjedhojë logjike e partneritetit në rritje me të gjithë strukturat e sigurisë rajonale dhe globale pas anëtarësimit në NATO në prill të vitit 2009. Aktualisht Shqipëria ёshtё në një proces të rëndësishëm me Bashkimin Evropian, pas hyrjes në fuqi më 1 Prill 2009 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, liberalizimit tё vizave dhe aplikimit për statusin e vendit kandidat.

Shqipëria është një vend strategjik për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit, Mesdheut dhe Evropës. Politika jonë e jashtme është e vendosur të rrisë këtë rol dhe kontribut, si një faktor me peshë rajonale për forcimin e sigurisë dhe për të garantuar stabilitet politik dhe ekonomik rajonal.

Politika e jashtme e RSH është e orientuar për t’u angazhuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të rajonit. Shqipëria është dhe do të mbetet një partner serioz dhe një faktor i rëndësishëm rajonal, që kontribuon në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik dhe ekonomik të rajonit dhe më gjerë. Shqipëria luan rol aktiv, të moderuar dhe konstruktiv në procesin e bashkëpunimit rajonal, mbështet dhe promovon parimin e gjithë përfshirjes, si një ndër parimet bazë të procesit të bashkëpunimit rajonal. Ne inkurajojmë shqiptarët kudo ku jetojnë në rajon, të bëhen promotorë të integrimeve Evropiane dhe Euroatlantike dhe të proceseve demokratike në vendet ku jetojnë

Për Shqipërinë, bashkëpunimi rajonal shkon përtej shprehjes së vullnetit politik të fqinjësisë së mirë. Ai merr kuptim nëpërmjet përpjekjeve për krijimin e një infrastrukture të përbashkët rajonale, heqjes së gjithë barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit dhe angazhimit të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg tërheqës dhe konkurrues.

Ajo e sheh dhe e vlerëson atë si një kontribut konkret për integrimin e rajonit dhe inkurajon shqiptarët kudo ku jetojnë në rajon, që të jenë faktor dhe promotor i integrimit euro-atlantik.

Fuqizimi i një rrjeti infrastrukturor rajonal me akse që përshkojnë linjat kryesore të qarkullimit dhe fluksit të shkëmbimeve, si dhe lidhja e tyre me rrjetet infrastrukturore evropiane dhe euro-aziatike, do tё ndikojë nё proceset pozitive nё rajon, duke e bёrё atё mё tё sigurtë, duke rritur dimensionin e tij gjeo-ekonomik, duke zgjeruar në përmasa të konsiderueshme tregun dhe duke rritur interesin për investime të huaja.

Një Ballkan i ndërvarur dhe i ndërlidhur ekonomikisht me vende dhe rajone fqinjë dhe me interesa të përbashkëta dhe historike si Italia, Greqia, Turqia, me të cilat kemi marrëdhënie të natyrshme, tradicionale dhe strategjike, fuqitë tradicionale dhe anëtarët e rinj të Bashkimit Evropian, por edhe me qendrat aktuale të zhvillimit ekonomik botëror, do t’i jepnin atij një dinamikë të re zhvillimi dhe prosperitetin e nevojshëm për integrimin e tij evropian, por edhe për garantimin e tregjeve rajonalë dhe ndër-rajonalë për Bashkimin Evropian.

Forcimi i dimensionit të sigurisë në konceptin tradicional dhe atë bashkëkohor në rajon, nëpërmjet garantimit të paqes dhe stabilitetit, demokratizimit të shoqërive tona, luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, kontrollit të qarkullimit dhe konfiskimit të parave që disponojnë këto organizata, forcimit deri në përmbushjen e standardeve më të larta të sigurisë dhe menaxhimit të integruar të kufijve, mund të realizohen më shpejt, nëpërmjet një bashkëpunimi më të koordinuar rajonal të agjencive të zbatimit të ligjit së bashku me asistencën e vetë Bashkimit Evropian.

Siguria në sektorin e energjisë përmes ndërtimit dhe modernizimit të rrjeteve të interkonjeksionit rajonal, sigurimi i rrjeteve të naftës dhe gazit nga Lindja në Perëndim përmes Rrugëve Ballkanike, do të rrisë rolin specifik të rajonit si një aktor me peshë dhe rëndësi për vetë të ardhmen e BE-së dhe garantimin e sigurisë së saj nga vartësia ndaj energjisë, por mbi të gjitha në aspektin e sigurisë, paqes dhe mirëqenies së vetë popujve të tij.

Pozicioni gjeografik i rajonit, interesat strategjike të të cilit si një rrugë kryesore lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, do të përforcoheshin me një dinamikë të re që do ta bënte integrimin e tij të shpejtë, të domosdoshëm për vetë Evropën, ndërkohë që perspektiva e Ballkanit si një vatër e re zhvillimi ekonomik dhe punësimi do të lehtësonte edhe vetë BE-në nga një sfidë që është sa politike, po aq edhe ekonomike.

Gjatë viteve të fundit gjeopolitika e Ballkanit është pasuruar me realitete të reja. Shteti i ri i Kosovës ka vërtetuar se pavarësia e tij ishte një vendim i drejtë i cili siguron paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon. Njohja e Kosovës nga 111 shtete është një realitet i pakthyeshëm.

Shqipëria ka mirëpritur dhe mbështetur dialogun e nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si dy shtete te pavarura dhe sovrane, dhe të gjitha marrëveshjet/përfundimet e arritura. Marrëveshja historike e 19 prillit 2013 synon të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, duke nisur një epokë të re mes tyre, me një ndikim pozitiv në rajon. Ne presim që kjo marrëveshje, së bashku me atë të Përfaqësimit Rajonal të Kosovës, t’i japë një impuls njohjeve të reja të Kosovës, anëtarësimit të saj në forumet rajonale dhe integrimit në BE. Ne mirëpresim hapat e Kosovës drejt Bashkimit Evropian si dhe vendosmërinë e saj në realizimin e kushteve për procesin e liberalizimit të vizave.

Shqipëria ka shprehur vlerësimin e saj për miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asoociimit/MSA nga ana e Komisionit Evropian (më dt. 30 prill 2015). Ne besojmë që pas miratimit të nënshkrimit nga Këshilli, Parlamenti Evropian ta nënshkruajë atë brenda këtij viti, në mënyrë që MSA-ja të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2016. Kjo do të shërbejë si nxitje për zbatimin dhe institucionalizimin e reformave dhe si një mundësi për Prishtinën për të  forcuar marrëdhëniet me fqinjët dhe kontributin ndaj stabilitetit të rajonit.

SHQIPERIA KA PARAQITUR KANDIDATUREN E SAJ PER NJE VEND JO TE PERHERSHEM NE KS TE OKB PER PERIUDHEN 2022-2023

Këshilli i Sigurimit është organi më i lartë dhe i rëndësishëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili sipas Kartës së OKB-së, ka përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Ndaj dhe përgjegjësia e KS, e çdo vendi anëtar qe shërben në të, është maksimale.

Shqipëria bën pjesë në ato 60 vende anëtare të OKB-së që nuk kanë shërbyer asnjëherë në Këshillin e Sigurimit. Që në vitin 2007, Shqipëria ka shpallur kandidaturën për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe kandidon për një vend vakant që i përket Grupit të Evropës Lindore, për periudhën 2022-2023, në zgjedhjet që zhvillohen në NY në vitin 2021, ku 10 shtetet e zgjedhura shërbejnë në KS për një periudhë dy vjeçare, pa të drejtën e vetos. Ky kandidim i Shqipërisë dhe eventualisht anëtarësimi i saj në KS, konsiderohet si momenti më madhor në politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë, referuar vendimmarrjes mbi baza globale.

Periudha dyvjeçare e anëtarësisë sonë në KS, do t’i japë Shqipërisë dhe politikës së saj të jashtme një vizibilitet te madh, mbasi Shqipëria, si të gjitha vendet e tjera anëtare të KS, do të jetë në qendër të vendimmarrjeve të rëndësishme ndërkombëtare për ruajtjen e paqes, forcimin e sigurisë në botë, por edhe për zhvillimin e shoqërisë njerëzore, ne tërësi. Shërbimi i Shqipërisë në KS do ta bëjë atë një aktor të rëndësishëm në vendimmarrjet ndërkombëtare,  ku roli dhe përgjegjësia ndërkombëtare do të jenë maksimale. Po ashtu do të rrisë rolin dhe peshën e vendit tonë në Evropë, në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Anëtarësimi i Shqipërisë në KS dhe performanca e saj pozitive do të jetë një kontribut me vlerë edhe për realizimin e objektivit të saj të rëndësishëm, anëtarësimin në BE.

Nëpërmjet shërbimit në KS, Shqipëria do të rrisë jo vetëm angazhimin  dhe kontributin e saj për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, por edhe ndikimin dhe bashkëpunimin me shumë vende të ndryshme në botë, larg interesave tona të drejtë për drejta,  do të rrisë lidhjen dhe bashkëpunimin e saj më shumë organizata ndërkombëtare, duke prezantuar tek ato një vend me interesa në rritje në zhvillimet kryesore ndërkombëtare si dhe do të mund ti shërbejë edhe trajtimit me realizëm të çështjes së Kosovës, duket nxitur njohjet ndërkombëtare të saj, si dhe anëtarësimin e saj në Organizatat Ndërkombëtare..

Mbështetur në këto argumente, por jo vetëm, kandidimi i Shqipërisë për në KS të OKB për periudhën 2022-2023, me zgjedhje në vitin 2021, dhe, anëtarësimi i saj në të, duhet të konsiderohen si objektiv madhor kombëtar dhe prioritet në politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë.

SHQIPERIA MER KRYESIMIN E OSBE NE VITIN 2020

Shqipëria paraqiti kandidaturën e saj për drejtimin e OSBE-së për vitin 2020 në gusht të vitit 2018. Ky vendim u mbështet në progresin e shënuar nga vendi ynë në respektimin e parimeve dhe vlerave të OSBE-së që prej anëtarësimit tonë në këtë organizatë në vitin 1991.

Në të njëjtën kohë, kandidatura jonë është reflektim i rritjes së profilit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, rolit aktiv të saj në forumet shumëpalëshe, qëndrimeve të saj konstruktive në rajon, si dhe kontributeve që Shqipëria ka dhënë në fushën e sigurisë, në adresimin e sfidave me karakter ndërkombëtar.

Vendimi që Shqipëria të bëhet Kryesuese e Radhës së OSBE-së u morr ne takimin e 25-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OSBE-së, mbajtur në 6-7 dhjetor 2018, në Milano, nën kryesinë italiane të OSBE-së për vitin 2018. Në këtë takim, kandidatura e Shqipërisë për të drejtuar OSBE në vitin 2020 u mbështet unanimisht nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës.

Vendimi për t’i besuar Shqipërisë drejtimin e OSBE në vitin 2020 shënon një arritje të rëndësishme në politikën e jashtme të vendit tonë. Kjo vendimmarrje pason atë të kandidimit të Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në KS të OKB për periudhën 2022-2023. Me këto sipërmarrje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, Shqipëria dëshmon aftësitë e saj politike dhe diplomatike për të kontribuar edhe më fuqishëm në zhvillimet globale dhe rajonale, në shërbim të paqes, zhvillimit dhe bashkëpunimit. Me marrjen e kryesimit të OSBE në vitin 2020, vendi ynë kalon në fazën e një kontributi të shtuar për arkitekturën e sigurisë evropiane, duke qenë në drejtim të një organizate shumë-dimensionale si OSBE, ku spikat dimensioni mesdhetar, euroatlantik dhe euroaziatik.

Angazhimet e Shqipërisë si kryesuese e OSBE-së në 2020 nisin që në 1 janar 2019, ku vendi ynë do të jetë pjesë e Trojkës së OSBE-së, bashkë me Italinë, që pati kryesinë përgjatë vitit 2018  dhe me Sllovakinë, si Kryesuese e Radhës së organizatës përgjatë vitit 2019.

Gjithashtu, Shqipëria do të jetë në vitin 2019 kryesuese e Grupit të Kontaktit të Mesdheut, duke organizuar një sërë aktivistesh që do të trajtojnë çështje me interes për këtë rajon, duke kulmuar me mbajtjen e Konferencës vjetore Mesdhetare. Kryesimi i OSBE përgjatë vitit 2020 është një periudhë mjaft angazhuese, ku Shqipëria do të jetë zëri përfaqësues dhe koordinues i kësaj Organizate, dhe pritet të organizojë shumë aktivitete, të cilat do të kulmojnë me mbajtjen e Takimit vjetor Ministerial të OSBE në fund të vitit 2020. Kryesimi i Grupit të Kontaktit për Azinë, si një instrument tjetër i rëndësishëm i OSBE, do të realizohet nga Shqipëria në vitin 2021, ku pritet që vendi ynë të organizojë disa aktivitete në bashkëpunim me aktorët kryesorë të OSBE-së, por edhe të vendeve aziatike, në shërbim të paqes, zhvillimit dhe bashkëpunimit.

Me përfundimin e Kryesimit të Grupit të Kontaktit për Azinë, vendi ynë pushon së qënuri pjesë e Trojkës së OSBE-së, duke shënuar kështu mbylljen zyrtare të një angazhimi tre vjeçar në drejtimin e kësaj Organizate.

Diplomacia ekonomike në fokusin e politikës së Jashtme

Diplomacia ekonomike është përcaktuar tradicionalisht si një fushë e vendim-marrjes, politikë-bërjes dhe advokacisë për avancimin e interesave ekonomike të shtetit. Diplomacia ekonomike mbështetet në një ekspertizë teknike që merr në analizë efektet e situatës ekonomike të vendit për klimën politike, si edhe për interesat ekonomike vendase.

Diplomacia ekonomike është arti i garantimit të sigurisë ekonomike dhe përmbushjes së interesave strategjike kombëtare përmes përdorimit të instrumentave ekonomike në marrëdhëniet ndërshtetërore. Suksesi i diplomacisë ekonomike lidhet ngushtësisht me aftësinë për të ndikuar proceset e politikë-bërjes dhe në vendim-marrjen mbi aspektet rregullatore, qoftë nga qeveritë e vendeve të huaja apo organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Diplomacia ekonomike shtrihet përtej stimulimit të tregtisë dhe investimeve, duke përfshirë edhe zgjidhjen e një sërë problematikash të cilat lidhen me konflikte të ndryshme ndërkombëtare. Roli i diplomacisë ekonomike është i gjithanshëm dhe parashikon ndër të tjera angazhime lidhur me tregtinë e jashtme dhe marrëdhëniet import-eksport, me promovimin e interesave ekonomike të shtetit jashtë vendit, sensibilizimin e investitorëve potencialë të huaj për mundësitë që u ofrohen, negocimin dhe arritjen e marrëveshjeve ekonomike-tregtare,  si edhe bashkëpunimin për eleminimin e divergjencave problematike dhe për harmonizimin e standarteve në fushën ekonomike, sociale, atë të mjedisit, edukimit etj. Diplomacia ekonomike vepron në tre nivele:  dypalësh, rajonal dhe multilateral. Diplomacia ekonomike dypalëshe luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike me vendet e tjera. Ajo bazohet ndër të tjera në marrëveshje bilaterale mbi tregtinë, investimet, punësimin, tatimet, si edhe angazhohet në trajtimin e një sërë çështjesh ekonomike formale apo informale mes dy vendece. Marrëveshjet Bilaterale të Tregtisë së Lirë janë prej kohësh “në rend të ditës” dhe një numër i madh vendesh nëpër botë zbatojnë të tilla marrëveshje.

Bashkëpunimi rajonal përbën një dimension me rëndësi të veçantë dhe në rritje për diplomacinë ekonomike. Praktika ka treguar se interesat kombëtare dhe liberalizimi i ekonomive vendase janë lehtësuar dhe favorizuar ndjeshëm në kuadër të mekanizmave dhe instrumentave me një fokus të qartë rajonal. Heqja e kufijve dhe hapja e tregjeve arrihet më lehtë dhe me sukses në një kontekst rajonal.
Diplomacia ekonomike shumëpalëshe zhvillohet në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), si edhe një sërë organizmash ndërkombëtare ekonomike dhe financiare si Banka Botërore (BB), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe agjenci të ndryshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) etj.

Ndër të tjera, themelimi i OBT-së ka sjellë një ndryshim të kursit të politikave në sistemin global të tregtisë, veçanërisht përmes rëndësisë që i është dhënë nxitjes së veprimtarive ekonomike. Megjithatë, garantimi i konkurrueshmërisë vijon të mbetet një nga sfidat e rëndësishme të marrëveshjeve tregtare bilaterale dhe multilaterale.

Plani shumëvjeçar i veprimit për një zonë ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor

Draft Plani Shumëvjeçar i Veprimit për një Zonë Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor (MAP REA) është hartuar me kërkesë të Gjashtë Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor me qëllim përgatitjen e një “propozimi për një qasje të përbashkët për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik në Ballkanin Perëndimor”  në kontekstin e procesit të Berlinit dhe Samitin e Triestes. MAP parashtron një agjendë të strukturuar për integrimin ekonomik rajonal, sipas linjave të propozuara nga Takimi i Liderëve, përkatësisht: nxitjen e integrimit të mëtejshëm të tregtisë, prezantimin e një hapësire rajonale dinamike për investime, lehtësimin e lëvizshmërisë rajonale dhe krijimin e një agjende dixhitale të integrimit. MAP rrjedh nga angazhimet e ndërmarra në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Strategjisë së Evropës Juglindore 2020 (SEE2020) dhe bazohet në rregullat dhe parimet e CEFTA-s dhe BE-së, sikurse pasqyrohen në Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit (MSA). Plani parashikon zbatimin e masave në të gjitha nivelet gjatë periudhës 2017 dhe 2020 (me disa masa që zgjasin deri në vitin 2023).

Zbatimi i masave të renditura këtu synon të finalizohet në një Zonë Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor 6, bazuar në rregullat e CEFTA-s dhe në përputhje me BE-në. Kjo do të mundësojë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punësimit me kualifikim të lartë, duke e bërë rajonin më tërheqës për investime dhe tregti, duke përshpejtuar konvergjencën me BE-në dhe duke sjellë prosperitet për të gjithë qytetarët e saj. Zona Ekonomike Rajonale bazohet në parimet e mos-diskriminimit, duke krijuar një fushë të barabartë për të gjithë brenda rajonit. Kliko këtu për të lexuar më shumë.

Zona Shengen përfshin territoret e 26 vendeve evropiane, të cilat kanë rregulla të përbashkëta për hyrjen dhe daljen nga vendet e Zonës Shengen. Mundëson lëvizjen e lirë të udhëtarëve midis vendeve anëtare pa qenë nevoja të kalojnë kontrollin kufitar apo të pajisen me vizë nga secili vend.

Shtetet që bëjnë pjesë në zonën Shengen janë:

  • Austria
  • Belgjika
  • Republika Çeke
  • Danimarka
  • Estonia
  • Finlanda
  • Franca
  • Gjermania
  • Greqia
  • Hungaria
  • Islanda
  • Italia
  • Letonia
  • Lihtenshtajni
  • Lituania
  • Luksemburgu
  • Malta
  • Holanda
  • Norvegjia
  • Polonia
  • Portugalia
  • Sllovenia
  • Sllovakia
  • Spanja
  • Suedia
  •  
  • Vetëm vendet ku planifikoni të shkoni mund t’ju japin informacione të sakta dhe të përditësuara rreth kërkesave të veçanta për vizë. Procedurat e hyrjes dhe daljes mund të ndryshojnë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Kontaktoni paraprakisht ambasadën apo konsullatën më të afërt para se të udhëtoni drejt një vendi të caktuar.
  • Në përgjithësi, nëse planifikoni që të kaloni deri në 90 ditë në total brenda një periudhe prej 180 ditëve, në Zonën Shengen për biznes apo turizëm, ju nuk do të keni nevojë për vizë para se të udhëtoni. Kjo ju lejon që të hyni në Zonën Shengen dhe të udhëtoni brenda vendeve të Shengen-it. (Llogaritja e ditëve bëhet duke përfshirë ditën e hyrjes dhe ditën e daljes.) Nëse dëshironi të bëni llogaritjet e lëvizjes në zonën Shengen mund të klikoni në këtë adresë https://ec.europa.eu/assets/home/visa-calculator/calculator.htm?lang=en
  • Nëse do të qëndroni më shumë se 90 ditë, nevojitet që të aplikoni për vizë para se të udhëtoni. Aplikimi për vizë për këtë rast bëhet në ambasadën e vendit ku parashikoni të qëndroni. Nëse do të qëndroni për një kohë të barabartë në më shumë se një shtet Shengen, aplikoni për vizën tuaj në vendin e parë Shengen që do të vizitoni. Rregullat e vizave që lidhen me punësimin dhe biznesin rregullohen nga vendet përkatëse.
  • Nëse tejkaloni 90 ditë brenda 180 ditëve të qëndrimit sikurse parashikohet ligjërisht në Zonën Shengen, pa një vizë të vlefshme, mund të gjobiteni ose t’ju ndalohet hyrja në zonën Shengen.
  • Merrni pasaportën tuaj të vulosur kur hyni në Zonën Shengen. Mungesa e një “vule hyrjeje” nga pika kufitare hyrëse në Shengen mund të rezultojë me një gjobë ose të krijojë vështirësi gjatë takimeve të mëvonshme me policinë lokale ose autoritetet e tjera në të gjithë Zonën Shengen.
  • Fondet minimale financiare që mund t’ju kërkohen qytetarëve shqiptarë në vendet e zonës Shengen, bazuar në njoftimet zyrtare të këtyre vendeve:
    1. Austria – prova për fondet financiare që disponon vlerësohet sipas rasteve;
    2. Belgjikë – kërkohen si fonde të mjaftueshme 38 Euro në ditë për qytetarët që vizitojnë familjet apo të afërm dhe 50 Euro për ata që rezervojnë hotel;
    3. Danimarkë – 50 Euro (350 DKK) për çdo ditë qëndrimi;
    4. Estoni – 38.5 Euro (600 EEK) për çdo ditë qëndrimi; 
    5. Finlandë – 30 Euro për çdo ditë qëndrimi;
    6. Francë – 56.20 Euro për çdo qëndrimi;
    7. Gjermani – 45 Euro për çdo ditë qëndrimi;
    8. Greqi – 20 Euro për çdo ditë qëndrimi, me një minimum prej 100 Euro;
    9. Hungari – 3.6 Euro (1000HUF) për çdo hyrje;
    10. Itali – 269.60 Euro për 1-5 ditë. Për 6-10 ditë shuma për çdo ditë 44.93;
    11. Letoni – 14 Euro (14 LVL) për çdo ditë qëndrimi për ata që vizitojnë familjen apo miq dhe 42.30 Euro (30 LVL) për çdo ditë qëndrimi për ata që rezervojnë hotel;
    12. Lituani – 40 Euro për çdo ditë qëndrimi; 
    13. Luksemburg – prova për fonde vlerësohet sipas rasteve;
    14. Maltë – 37 Euro për çdo ditë qëndrimi; 
    15. Poloni – 24.5 Euro (100 PLN) për çdo ditë qëndrimi;
    16. Norvegji – 62 Euro (500 NOK) për çdo ditë qëndrimi tek familjarët apo miqtë; 
    17. Sllovaki – 114.5 Euro (3450 SKK) për çdo ditë qëndrimi. Shuma e kërkuar ulet për fëmijët nën 16 vjeç; 
    18. Slloveni – 70 Euro për çdo ditë qëndrimi. Shuma ulet 50% për të miturit, të cilët janë pjesëtarë të familjes në udhëtim; 
    19. Spanjë – 57 Euro për çdo ditë qëndrimi, me një minimum prej 513 Euro për person;
    20. Suedi – 38.6 Euro për çdo ditë qëndrimi; 

Sqarojmë gjithashtu se kërkesa për këto fonde nuk është detyrim deklarimi, por në rastet e kërkesës së provës nga ana e autoriteteve të këtyre vendeve ato duhen deklaruar.

  • Pas disa sulmeve terroriste, disa vende në Zonën Shengen kanë shtrënguar kontrollet e tyre kufitare. Mund t’ju kërkohet që të tregoni pasaportën tuaj kur kaloni kufijtë brenda Zonës Shengen. Gjithmonë mbani me vete pasaportën tuaj në stacionet hekurudhore dhe aeroportet ndërkombëtare. Kontrollet e shtrënguara kufitare nuk kanë ndryshuar kërkesat e sipër përmendura për viza. Shikoni këshillat tona për detajet e marrëveshjeve të hyrjes dhe daljes për çdo vend ose kontrolloni portalin e Komisionit Evropian për informacione mbi kontrollet e përkohshme të kufirit të brendshëm.
  • Disa vende mund t’ju kërkojnë të regjistroheni pranë autoriteteve lokale brenda tri ditëve pune nga mbërritja juaj.
  • Sigurohuni që pasaporta juaj të jetë e vlefshme për të paktën gjashtë muaj nga data e përfundimit të afatit të vlefshmërisë.
Go Top