Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Danimarkë

Marrëdhëniet dypalëshe

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Danimarkës janë vendosur më 29 maj 1970.

Bashkëpunimi ekonomik: Qeveria daneze ka dhënë një kontribut pozitiv për Shqipërinë në forcimin e kapaciteteve qeverisëse të administratës qëndrore, të administratës së pushtetit gjyqësor, në rritjen e përfshirjes së shoqerisë civile në çështjet vendore me qëllim ndërtimin e një shoqërie demokratike shqiptare. Fushat e ndërhyrjes daneze kanë qënë në drejtim të forcimit të kapaciteteve të çështjeve të drejtësisë, prokurorisë, policisë, pushtetit vendor, OJF, etj.

Që nga viti 1999, kontributi danez për Shqipërinë nëpërmjet projekteve të Programit Danida ka qënë 16 milionë USD me një impakt të dukshëm. Karakteristike është se zbatimi i projekteve të financuara nga qeveria daneze është bërë me transparencë dhe profesionalizëm, e cila ka çuar në përmirësimin e funksioneve të administratës dhe në ngritjen e kapaciteteve të saj. Qeveria daneze ka ndihmuar Shqipërinë edhe nëpermjet Programit FRESTA, si dhe në kuadër të bashkëfinancimit me donatorët e tjerë multilateralë, ku Danimarka është anëtare e rëndësishme si Banka Botërore dhe Agjencitë e ndryshme të Kombeve të Bashkuara që operojnë në Shqipëri.

Qeveria e Mbretërisë së Danimarkës ka dhënë mbështetjen e saj që nga themelimi i institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri, përmes një granti financiar te akorduar në kuadër të marrëveshjes së dy qeverive tona, nënshkruar në Kopenhagen në korrik 1999. Bashkëpunimi me zyrën e Ombudsmanit Danez në vitet 1999-2003, përmes programit DANIDA të Qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës ka dhënë ndikimin e vet mjaft pozitiv në të gjitha aspektet e funksionimit të zyrës së Avokatit të Popullit. Kjo mbështetje ka qenë konkrete, tepër e pranishme dhe mjaft efiçente për ngritjen dhe fuqizimin e institucionit të Avokatit të Popullit, mbështetje që u konfirmua edhe gjatë vizitës së Ombudsmanit danez në Shqipëri z. Jørgen Steen Sørensen, në 30 mars 2015

Gjatë vizitës në Danimarkë, të Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, më datë 13 dhjetor 2013, u nënshkrua marrëveshja midis dy qeverive, për dhënien e një granti nga qeveria daneze, në shumën 80 milion korona daneze (DKK), grant i bashkëfinancuar me Ministrinë Federale të Kooperimit Ekonomik dhe Zhvillimit të Republikës Federale të Gjermanisë, nëpërmjet zhvillimit të bashkëpunimit për mbështetjen e përbashkët gjermano – daneze, për zhvillimin rural dhe bujqësinë në zonat e pafavorshme të Shqipërisë (2014-2018). Ky program, do të mbështesë qeverinë shqiptare në shtrirjen e asistencës për fermerët e varfër, në aktivitetin e prodhimit bujqësor dhe agro – biznesin duke synuar në uljen e varfërisë, rritjen e punësimit, përmirësimin e kushteve të jetesës të fermerëve, në zonat rurale të pafavorshme të Shqipërisë, në përputhje e me programin e qeverisë shqiptare, të strategjisë ndërsektoriale për zhvillimin rural dhe bujqësinë.

 

Kuadri ligjor i bashkëpunimit dypalësh

Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbreterisë së Danimarkës për transportin ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve, nënshkruar më  25.01.1994

Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.1995, hyrë në fuqi më 18.1.1996.

Protokoll ndërmjet Ministrisë së Punevë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Danimarkës, nënshkruar më 19.02.1999, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.

Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Danimarkës për asistencën në periudhen e tranzicionit, nënshkruar më 02.06.1999, hyrë në fuqi më 30.11.2000.

Memorandum i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për ndryshimet klimatike ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të ujërave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit të Mbretërisë së Danimarkës mbi bashkëpunimin për zbatimin e  protokollit të Kiotos, nënshkruar në 2006, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.

Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës mbi lehtësimin e lëshimit të vizave, nënshkruar më 24.04.2008,hyrë në fuqi më 1.12.2008.

Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar, nënshkruar më 24.04. 2008, hyrë në fuqi më 1 dhjetor 2008.

Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës për bashkëpunimin për zhvillim, nënshkruar më 1.9.2010, hyrë në fuqi më 1.6.2011.

 Zbulo më shumë për shërbimet e Ambasadës

Zbulo më shumë për trokitjen virtuale

 

Go Top