Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kuvajt

Marrëdheniet dypalëshe

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën më 08.08.1968, por janë intensifikuar sidomos në fillim të viteve ‘90 e në vazhdim.Shqipëria mbështeti ndërhyrjen ushtarake të koalicionit të udhëhequr nga SHBA në fillim të vitit 1991 që solli çlirimin e Kuvajtit nga pushtimi irakian.

Kuvajti ka mbështetur shumë projekte në Shqipëri si në aspektin humanitar ashtu edhe projekte në zhvillim. Veçojmë 6 projekte për infrastrukturën rrugore dhe vaditjen të financuara në Shqipëri nga Fondi Kuvajtjan (Kuwait Fund for Arab Economic Development) me kredi të buta, me një vlerë totale prej 21.438 milion KD e barazvlefshme me 65 milion Euro, por edhe grante gjithashtu. Po ashtu vlen të përmenden investimet e Al-Kharafi Group në Shqipëri në mesin e  viteve 90. Shqipëria i ka dhënë mbështetje vazhdimisht Kuvajtit në organizatat ndërkombëtare.

-Dialogu politik ka qenë i vazhdueshëm mes dy vendeve në një frymë shumë miqësore. Ka pasur shkëmbime të rregullta vizitash zyrtare mes dy vendeve ku mund të përmenden nga pala shqiptare së fundmi vizita e Kryeministrit Rama në nëntor 2014, e Kryetarit të Kuvendit Meta në qershor 2014, e Presidentit Topi në maj 2012 si dhe nga pala kuvajtjane, vizita e Kryetarit të Parlamentit Al-Kharafi në tetor 2011 ku Kuvajti njohu Republikën e Kosovës, e Kryeministrit të Kuvajtit Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmad Al Jaber Al Sabah në dhjetor 2007, etj.

-Mes dy vendeve janë nënshkruar dhe kanë hyrë në fuqi shumë marrëveshje dypalëshe si ato për heqjen e taksimit të dyfishtë, për mbrojtjen e investimeve, në fushën e shëndetësisë, transportit ajror, mbrojtjen e mjedisit, heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit. Kujtojmë gjithashtu se në janar 2015, qeveria shqiptare mori vendim për heqjen e regjimit të vizave me Kuvajtin, vendim që ka hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti.                                                                                                                                                 -Të dy vendet përfaqësohen me ambasada rezidente. Ambasada shqiptare në Kuvajt është hapur zyrtarisht në tetor 2010 ndërsa e Kuvajtit në Tiranë është hapur në shtator 2011.

 Zbulo më shumë për shërbimet e Ambasadës

Zbulo më shumë për trokitjen virtuale

 

Go Top