Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada

Marrëdheniet dypalëshe

Marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë, janë vendosur më 10 shtator të vitit 1987. Deri në vitin 1992 Ambasada e Kanadasë në Beograd të ish Jugosllavisë mbulonte edhe Shqipërinë. Më pas deri në vitin 1999 ky juridiksion i kaloi Ambasadës së Kanadasë në Budapest, Hungari dhe që prej vitit 1999 e në vazhdim Kanadaja përfaqësohet në Shqipëri nëpërmjet ambasadorit të saj në Romë, Itali. Këto marrëdhënie kanë marrë zhvillim më të madh pas vendosjes së demokracisë pluraliste në Shqipëri. Ato tashmë bazohen në dialogun e mirë politik dhe në partneritetin e ngushtë si aleatë në NATO, duke u karakterizuar gjithashtu nga një miqësi e konsoliduar. Në prill të vitit 2001, u hap për herë të parë ambasada e Republikës së Shqipërisë në Otavë, e cila i dha një impuls të ri forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Viti 2012 u shënua nga disa momente kyçe me impakt dhe vizibilitet në riafirmimin e klimës së shkëlqyer të marrëdhënieve shqiptaro-kanadeze. Përmendim “Vitin e Shqipërisë” në Kanada, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë; Paketën e gjerë të veprimtarive, e cila evidentoi potencialin e jashtëzakonshëm të miqësisë dhe lidhjeve mes dy popujve; Fjalimi i Kryeministrit Stephen Harper mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët; 25 Vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Diaspora e mirëintegruar me rreth 28 270 qytetarë kanadezë me origjinë shqiptare, mbështetur në censusin e vitit 2011 është një faktor i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve njerëzore dhe bashkëpunimin dypalësh ndërmjet vendeve.

Bashkëpunimi ekonomik

Kanadaja është cilësuar nga Agjensia Shqiptare e Zhvillimit dhe Investimeve si investitori kryesor në Shqipëri me 810 milionë euro investime.Objektiv kryesor në marrëdhëniet dypalëshe, mbetet forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht përmes thithjes së mëtejshme të investimeve kanadeze në sektorë jetikë, siç janë nafta e gazi, minierat, energjia hidrike e administrimi i burimeve ujore dhe industria e turizmit në vendin tonë.

Zbulo më shumë për shërbimet e Ambasadës

Zbulo më shumë për trokitjen virtuale

 

Go Top