Përfaqësia e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në NATO

Shqipëria në NATO

Në vitin 2009,  Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit. Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s,Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke  avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26  Krerët e Shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet  të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin. Ky vendim erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë. Më 25 prill 2008 Shqipëria dhe Kroacia nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO. Agjenda e këtyre bisedimeve përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore që të dy vendet trajtuan me ekspertët e Aleancës, me qëllim rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të përmbushur në të ardhmen të gjitha detyrimet që lidheshin me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë. Nëpërmjet një serie takimesh dypalëshe midis ekipeve të ekspertëve të NATO-s dhe ekipeve të institucioneve shqiptare u trajtua dhe u konfirmua zyrtarisht interesi, vullneti dhe mundësitë e Shqipërisë për të plotësuar detyrimet dhe angazhimet politike, ligjore dhe ushtarake të anëtarësimit në NATO. Produkt final i këtyre diskutimeve ishte një kalendar me afate kohore për përmbushjen e kritereve dhe reformave të domosdoshme.

Lexo të plotë:

http://www.ambasadat.gov.al/otan/sq/shqip%C3%ABria-n%C3%AB-nato

Zbulo më shumë për trokitjen virtuale

 

Njoftime të Misionit

Go Top