Marrëdhëniet dypalëshe
Këshilli Federal Zviceran e njohu shtetin e ri Shqiptar në 1 Mars të vitit 1922. Në 1929 është nënshkruar marrëveshja e parë tregtare, ndërsa në 1935 në Bernë u hap konsullata e parë shqiptare. Marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në 20 korrik 1970 dhe viti 2020 shënoi gjysmë shekullin e parë të këtyre marrëdhënieve. Misioni i parë diplomatik zviceran në Tiranë u hap në vitin 1991, ndërsa në 1992 u hap Ambasada e parë zvicerane. Që nga ajo kohë marrëdhëniet mes dy vendeve kanë ardhur duke u intensifikuar dhe forcuar vazhdimisht.
Marrëdhëniet Bilaterale Shqipëri – Zvicër
Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës janë të mira dhe të larmishme. Aktualisht Zvicra është ndër vendet kryesore donatore dhe partner i rëndësishëm tregtar në Shqipëri. Ky partneritet është afatgjatë dhe ka filluar që para 30 vitesh. Shqipëria e konsideron Zvicrën një partner shumë të besuar. Shqipëria konsiderohet nga Zvicra si një vend prioritar sa i përket bashkëpunimit për zhvillim. Të dyja vendet ndajnë interesin e tyre të përbashkët në zhvillimin dhe stabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Zvicra është ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Zvicra mbështet e lidershipin proaktiv rajonal të Shqipërisë si dhe aspiratat e Shqipërisë për në Bashkimin Europian.
Aspekte kyçe të Marrëdhënieve Diplomatike
Marrëdhëniet diplomatike fokusohen në bashkëpunimin për zhvillim, fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe bashkëpunimin në çështje të migracionit dhe ato konsullore. Shqipëria dhe Zvicra bashkëpunojnë shumë ngushtë në çështje të ndryshme të natyrës bilaterale apo ndërkombëtare. Të dyja vendet zhvillojnë konsultime të rregullta politike të cilat organizohen në mënyrë të alternuar në Bernë e Tiranë. Po ashtu, Shqipëria dhe Zvicra bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të organizatave ndërkombëtare ku ato janë anëtare. Me rëndësi të veçantë është bashkëpunimi që ekziston mes dy vendeve në kuadër të OKB dhe OSBE. Këmbimi i vizitave të nivelit të lartë ka qenë i shpeshtë gjë e cila ka ndikuar në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve bilaterale. Marrëdhëniet ndërmjet Parlamenteve të të dyja vendeve po ashtu kanë qenë të shpeshta dhe intensive. Shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë ka qënë i shpeshtë gjë e cila ka ndikuar në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve bilaterale. Kryeministri shqiptar, z.Edi Rama, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Zvicër në 2017 ndërkohë që Ministri i Jashtëm zviceran, z.Ignazio Cassis, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, në Nëntor 2020.
Forumi Ekonomik i Davosit me seli në Gjenmevë, është një ndër platformat më të rëndësishme të lidershipit botëror. Në këtë Forum, Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë disa herë përfshirë atë nëJanar tëvitit 2018 gjatë zhvillimeve të punimeve të Forumit në Davos të Zvicrës si dhe në dy Samite të liderve të Ballkanit Perëndimor të organizuara nga Forumi Ekonomik i Davosit në Gjenevë në Tetor 2018 dhe nëntor 2019 respektivisht.
Marrëveshjet Bilaterale
Kuadri ligjor që rregullon marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës është i shumëllojshëm dhe shterues. Ai konsiston në rreth 30 marrëveshje që mbulojnë fusha të tilla si tregtia, transportet, ekonomia, doganat, çështje konsullore, legale, sigurinë, energjinë, bujqësinë etj.
Bashkëpunimi Ekonomik, që nga 1992, Shqipëria përfiton nga privilegjet doganore të akorduara nga Zvicra për vendet në zhvillim. Hapja e Ambasadës zvicerane në Tiranë në 1992 mundësoi nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtjen e ndërsjelltë të investimeve (1992) si dhe nënshkrimin (në 1994) të një marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë (riparë në 2015). Në Mars të vitit 2022 u nënshkrua edhe marrëveshja për Sigurimet Shoqërore e cila u mundëson shtetasve shqiptarë që jetojnë në Zvicër të përftojnë vitet e punës në Shqipëri për efekte pensioni. Që nga tetori i 1993, Këshilli Federal Zviceran e ka klasifikuar Shqipërinë si një “vend i sigurtë”. Zvicra mbetet është një nga 10 vendet më të rëndësishmet në tregun shqiptar. Disa kompani të mëdha zvicerane janë të pranishme në Shqipëri ndërkohë që një numër në rritje i SME-ve zvicerane po zbulojnë tregun shqiptar. Aktualisht në Shqipëri veprojnë afërsisht 65 kompani zvicerane ndërsa 35 kompani shqiptare kryejnë aktivitet të rregullt tregtar me Zvicrën. Një konsorcium nga kantoni i Zug është përfshirë si aksionar në ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline. Kompani të tjera zvicerane janë pjesëmarrëse në tregun energjetik. Një grup investitor nga Zyrihu është përfshirë financiarisht dhe në aspektin operacional në fushën e zhvillimit të turizmit përmes ndërtimit të një porti jahtesh dhe fshati turistik në zonën e Durrësit. Në vitin 2015 në Tiranë u krijua Dhoma e Tregtisë Zvicër-Shqipëri ndërsa në vitin 2020 në Gjenevë u krijua Dhoma e Tregtisë Shqipëri-Zvicër, të cilat shërbejnë si platforma të rëndësishme në funksion të rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve. Vlen për tu shënuar bashkëpunimi mes Swisstourizmit, Ambasadës së RSH-së dhe Agjencisë Shqiptare të Turizmit. Në kuadër të kësaj më 08.05.2023 në Zyrih, Shqipëria dhe Zvicra nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi (MoU) në fushën e Turizmit.
Bashkëpunimi për Zhvillim, veprimtaritë e Zvicrës në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim orientohen nga prioritetet për zhvillim të qeverisë shqiptare dhe synojnë mbështetjen e Shqipërisë në realizimin e agjendës së saj të reformave dhe rrugës së saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Zvicra ka mbështetur tranzicionin demokratik të Shqipërisë qysh prej 1992 me afërsisht 300 milion franga zvicerane. Strategjia për Bashkëpunim e Zvicrës përkundrejt Shqipërisë për periudhën 2021-2024, e financuar prej SDC dhe Sekretariatit Shtetëror për Ekonominë (SECO), fokusohet në katër drejtime kryesore: Demokratizim, decentralizim dhe qeverisje vendore; zhvillim ekonomik; infrastruktura urbane dhe energjia; si dhe shëndetësia dhe kap një shumë totale prej afërsisht 104 milion CHF.
Shkëmbimet Kulturore
Shqipëria dhe Zvicra nxisin këmbimet në fushën e kulturës dhe krijimin e lidhjeve ndërmjet artistëve dhe aktorëve të tjerë kulturorë në mënyrë reciproke. Ambasadat e Shqipërisë dhe Zvicrës mbështesin rregullisht veprimtari kulturore në muzikë, teatër, letërsi apo filma. Mjaft artistë shqiptarë kanë dhënë shfaqe në koncerte në të dyja vendet. Në Universitetin e Bernës së shpejti do të fillojë të funksionojë një cikël leksionesh të gjuhës shqipe që do ti paraprijë hapjes së katedrës së gjuhës shqipe.
Shtetas shqiptarë në Zvicër dhe Diaspora
Sipas të dhënave më të fundit, në Zvicër figurojnë 2955 shtetas shqiptarë. Duhet nënvizuar fakti që Zvicra është atdheu i dytë për një prej diasporave më të mëdha në Europë me rreth 300 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe treva të tjera shqiptare që jetojnë e punojnë në Zvicër. Diaspora shqiptare është shumë aktive dhe e mirëintegruar në shoqërinë zvicerane. Ajo është e organizuar kryesisht në shoqata apo entitete kulturore e gjuhësore. Brezi i dytë e i tretë i saj gjithnjë e më shumë po përfshihet në jetën sociale e politike të vendit.