Marrëdhëniet dypalëshe
Shqipëria dhe Kroacia janë vende anëtare të NATO-s dhe marrëdhëniet dypalëshe mbështeten në një bashkëpunim që intensifikohet vazhdimisht në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë. Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet madhor i politikës sonë të jashtme dhe Kroacia, si vend mik, mbështet plotësisht Shqipërinë në këtë proces, bazuar në dokumentin e Partneritetit Evropian, nënshkruar midis dy qeverive.
Shqipëria, e njohur si një vend që ka luajtur dhe luan një rol konstruktiv e të moderuar në rajon, e konsideron Kroacinë një partner të rëndësishëm jo vetëm në aspektin dypalësh, por edhe atë rajonal, duke e vlerësuar si aktor të rëndësishëm për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. E ardhmja e rajonit është integrimi evropian dhe euro-atlantik. Shqipëria vlerëson mbështetjen e Kroacisë sa i përket integrimit evropian dhe beson se kjo do të vijojë edhe për fazën pasardhëse: hapjen e negociatave të anëtarësimit. Forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare mbetet një sfidë për të ardhmen. Energjia, turizmi, transporti, bujqësia, kultura dhe arti janë disa nga fushat e rëndësishme të këtij bashkëpunimi.
Historik i marrëdhënieve dypalëshe
Shqipëria e ka njohur shtetin e ri të Kroacisë më datë 21.01.1992 dhe dy vendet tona kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike më 25.08.1992. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kroacisë vlerësohen si të shkëlqyera dhe nuk ka asnjë çështje të hapur mes tyre. Midis palёve zhvillohet njё dialog politik intensiv, pёr marrëdhëniet midis dy vendeve, situatën nё rajon dhe më gjerë. Vizitat e nivelit të lartë dhe shumë të lartë, si dhe konsultimet diplomatike janë të shpeshta dhe konstruktive.
Kroacia ёshtё njё aleate e rëndësishme për Shqipёrinё nё rajon, me të cilën qëndrimet dhe pozicionet për çështjet rajonale dhe më gjerë, janë në të njëjtën linjë. Kroacia ka qenë një bashkёudhёtare nё procesin e anëtarësimit nё NATO dhe, midis dy vendeve, zhvillohet një bashkëpunim i ngushtë në kuadër të reformave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Anëtarësimi i Kroacisë në BE, më 1 korrik 2013, është një arritje e madhe dhe ngjarje historike për të gjithë rajonin. Shqipëria ka interes për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe përfitimin nga eksperienca kroate në kuadër të integrimit evropian dhe veçanërisht në përgatitjen e procesit të negociatave.
Ka një interes gjithnjё nё rritje nga tё dyja palёt pёr intensifikimin e bashkёpunimit ekonomik, shkëmbimet tregtare, bashkëpunimin kulturor, arsimor etj. Me Kroacinë janë nënshkruar rreth 42 marrëveshje. Mbështetur në politikën e jashtme, në bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke gjatë përpjekjeve të përbashkëta për anëtarësim në NATO, në qëndrimin ndaj Kosovës por edhe shiptarëve në tërësi, por edhe në balancat e reja politike në rajon, vendi që zë dhe roli që luan dhe nga historia e marrëdhënieve dhe pozicionimit të saj në rajon, Kroacia është një aleate e NATO-s për Shqipërinë në rajon, dhe marrëdhënet me të mund të shndërrohen në marrëdhënie preferenciale.
Bashkëpunimi ekonomik
Marrëdhëniet me Kroacinë zënë një vend të rëndësishëm në politikën rajonale të Shqipërisë. Ne synojmë ta bëjmë më intensiv dialogun politik me këtë vend në të gjitha nivelet, si në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, ashtu edhe në kuadër të nismave të bashkëpunimit rajonal.
Kroacia është një nga shtetet më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit, sidomos sepse është aksi që lidh Tiranën me Evropën nëpërmjet rrugës tokësore. Janë të gjitha mundësitë dhe duhet të punohet për intensifikimin e marrëdhënieve më të forta ekonomike dhe tregtare si dhe nxitjen e investimeve të shkëmbimit të mallrave ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë, rritjen e aktiviteteve tregtare, duke pasur parasysh dhe rolin në rritje të sektorit privat, për intensifikimin e bashkëpunimit midis Dhomës së Ekonomisë Kroate dhe Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, për të promovuar produktet e tyre në panairet lokale dhe ndërkombëtare dhe për të informuar komunitetin e biznesit në lidhje me mundësitë që ekzistojnë në vendet e tyre përkatëse. Shqipëria dhe Kroacia janë pjesë e disa projekteve strategjike për rajonin, si psh Korridori Adriatiko-Jonian, i ashtuquajtur edhe Korridori Blu, Gazsjellësi IAP (Joniano-Adriatik), si edhe kanë një bashkëpunim të shtuar në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët. Të dhënat statistikore tregojnë se vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2014 ka qenë 46,33 milion Euro. Sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ekziston një numër në rritje i kompanive kroate që investojnë apo kanë praninë e tyre fizike në Shqipëri, në fusha të tilla si industria, ndërtimi i fshatrave turistikë, marketingu dhe tregtia, këshillimet, teknologjia e informacionit, etj, si edhe mirëpriten të tjera investime kroate në vendin tonë. Investimet direkte kroate në Shqipëri për 2013 prekin shifrën e 13,87 milion Euro.
Gjithashtu, kompani private shqiptare kanë shtuar në vazhdimësi interesin për tregun kroat, duke synuar një treg të ri që është tashmë pjesë e Bashkimit Evropian.
Zbulo më shumë për shërbimet e Ambasadës
Zbulo më shumë për trokitjen virtuale