Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Austri

Bashkëpunimi politik

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë janë vendosur që më   3 dhjetor 1913, ku Ministria e Jashtme e Perandorisë së Austro-Hungarisë vendosi hapjen e tre konsullatave në vendin tonë: në Shkodër, Durrës dhe Vlorë. Nga viti 1956 deri në vitin 1991 Austria është përfaqësuar në vendin tonë nga ambasadori i saj në Beograd. Në muajin gusht 1991 Qeveria Austriake emëroi ambasadorin për Shqipërinë me rezidencë në Vjenë, i cili paraqiti letrat kredenciale në shtator 1991. Marrëdhëniet tona me Austrinë janë zhvilluar në mënyrë intensive dhe ka patur një varg vizitash e takimesh të niveleve të larta. Takime të shumta zhvillohen edhe në kuadrin e organizatave ndërkombëtare dhe forumeve shumëpalëshe, ku janë të anëtarësuar dy vendet tona.

Në janar të vitit 1992 Austria i dha Shqipërisë statusin e partnerit më të favorizuar, duke i dhënë një hov të veçantë marrëdhënieve politiko-ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare. Bashkëpunimi i ngushtë është i bazuar kryesisht në 19 marrëveshjet bilaterale të nënshkruara deri tani mes dy vendeve respektive, që përfshijnë fusha të ndryshme.

Pas anëtarësimit në BE, Austria ka përkrahur konkretisht përpjekjet e vendit tonë për t’u integruar në Evrope, sidomos në arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptar, si dhe aktualisht për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Bashkëpunimi Ekonomik

Në periudhën 1991-1995 qeveria austriake e ka mbështetur Shqipërinë nëpërmjet Programit austriak të Ndihmës Humanitare. Krijimi i Zyrës së Koordinimit të ADA (Agjencisë Austriake të Ndihmës për Zhvillim) pranë Ambasadës austriake në Tiranë (1995) u konsiderua si një hap drejt një bashkëpunimi afatgjatë.

Pas viteve 1996-1997 aktiviteti i ADA dhe partnerëve të tjerë austriakë u përqendrua në zonën veriore të vendit, duke patur për qëllim ngushtimin e dallimeve ekonomiko-sociale mes rajoneve të vendit. Programi për Bashkëpunimin Teknik e Financiar, si një program pasues i Programit të Ndihmës ka kontribuar pozitivisht përmes financimit të projekteve të ndryshme.

Akordimi nga ana e Austrisë vendit tonë, statusin e kombit më të favorizuar në tregti, nënshkrimi i marrëveshjeve të ndryshme me karakter ekonomik, shtimi i interesimit të biznesit privat austriak për të investuar në Shqipëri, ka vendosur themelet për rritjen në vazhdimësi të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Bashkëpunimi ekonomik midis Shqipërisë dhe Austrisë vitet e fundit ka ardhur duke u rritur. Hap domethënës në këtë drejtim janë edhe organizimi i pesë sesioneve të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar shqiptaro-austriak, si në Vjenë ashtu edhe në Tiranë. Bashkëpunimi në fushën ekonomike me Austrinë përfshin: bashkëpunimin në kuadrin e projekteve të asistencës, të fokusuara në drejtim të: furnizimit me uje, energjisë elektrike; arsimit – kulturës; bashkëpunimi në kuadrin e projekteve të BE-së si edhe në fushën e biznesit privat.

Përsa i përket biznesit privat, ka një interesim në rritje të angazhimit kompanive austriake  në Shqipëri, veçanërisht në formën e investimeve direkte. Ka shkëmbime të vizita te delegacioneve te biznesit austriak ne Tiranë dhe atij shqiptar në Vjenë, ndërkohe qe është rigjallëruar ndjeshëm bashkëpunimi midis Dhomave të Tregtisë së dy vendeve. Austria ka premtuar rritjen e kredive, krijimin e lehtësirave dhe mbështetjeve për investitorët austriake në vendin tonë, si shprehje e prioritetit të veçantë që gëzon Shqipëria në politikën dhe interesat ekonomike të ndërsjella me të. Ky bashkëpunim intensiv ka sjellë edhe rritje të dukshme në shkëmbimin tregtar mes dy vendeve.

Bashkëpunimi në fushën e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës

Ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë egzistojnë marrëdhënie tepër pozitive në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës. Kjo konfirmohet edhe nga Marrëveshjet ndërshtetërore të nënshkruara për këtë qëllim ndërmjet qeverive të të dy vendeve, të cilat po i citojmë më poshtë :

  1. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunim në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës, nënshkruar më 31.10.2005, hyrë në fuqi më 01.11.2006.
  2. Protokolli i takimit të Komisionit të përzier austriako-shqiptar për bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës për vitet 2007-2010, nënshkruar më 28.06.2007.

Aktualisht, në fushën e arsimit Austria ka kontribuar me anë të projekteve të saj, më i rëndësishmi prej të cilëve është hapja në vitin 2006 e shkollës së mesme me profil teknik(HTL) në Shkodër, një shkollë me personel pedagogjik austriak, e cila është një prej 6 shkollave të tilla që Austria ka hapur në gjithë botën. Në vijim të eksperiencës tepër pozitive të kësaj shkolle, si në aspektin e pjesëmarrjes dhe në atë të mësimdhënies, qeveria shqiptare me asistencën teknike të qeverisë austriake, ka vendosur hapjen e një shkolle të ngjashme edhe në Tiranë. Projekti është në fazën e implementimit.

Edhe në fushën e kulturës ka një bashkëpunim aktiv ndërmjet institucioneve kulturore të të dy vendeve. Konkretizim i këtij bashkëpunimi, ishte sjellja këtë vit në bashkëpunim me Volkstheatër të Vjenës,  i dy trupave teatrore nga Shqipëria, trupës së teatrit Metropol të Tiranës, e cila vuri në skenë komedinë „Tri mendje në ankand“ të Ferdinand Hysit, dhe trupa e Akademisë së Arteve me monodramën „Fausti prej Tirane“ të Stefan Çapalikut. Cilësia e veprave dhe loja profesioniste e aktorëve shqiptarë, sollën një sukses të merituar të shfaqjeve gjatë të dy ditëve të aktivitetit.

 

Zbulo më shumë për shërbimet e Ambasadës

Zbulo më shumë për trokitjen virtuale

 

Go Top