Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni e Veriut

Shqipëria, më 26 prill 1993, me anë të një Deklarate, ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut dhe më 24.12.1993, ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me këtë vend. Pas këtij akti është vijuar me nënshkrimin e  marrëveshjeve dypalëshe për nxitjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit në të gjitha fushat, me interes të ndërsjellë. Angazhimi i përbashkët i qeverive të të dy vendeve tona ndaj vlerave europiane dhe euroatlantike, ndaj respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive për të gjithë, përfshirë komunitetet pakicë, si dhe ndaj zbatimit të kritereve dhe standarteve ndërkombëtare në zhvillimin e marrëdhënieve midis shteteve të lira dhe sovrane i ka dhënë bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut bazën e nevojshme për qëndrueshmëri dhe perspektive afatgjatë.

Në këtë kontekst, Shqipëria i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe vlerëson se ato janë në nivel shumë mirë. Në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me Maqedoninë dhe me bindjen se stabiliteti i këtij vendi fqinj është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe konsekuent në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit të saj. Mesazhet tona për faktorin shqiptar në Maqedoni inkurajojnë në vazhdimësi bashkëpunimin, integrimin, angazhimin e veprimin institucional. Shqipëria është e bindur se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është element kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj evropiane. Në këtë drejtim, ajo ka dhënë mesazhin që të gjitha forcat politike në Maqedoninë e Veriut, shqiptare e maqedone, të kontribuojnë në mënyrë konstruktive dhe të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin në kohë e në tërësi të kësaj marrëveshjeje. Parë në tërësi, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonise së Veriut janë shumë të mira dhe karakterizohen nga vullneti politik pozitiv. Dëshmi e këtij fakti është shkëmbimi në mënyrë periodike i vizitave në nivel të lartë. Krahas vizitave zyrtare të zhvilluara në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, dialogu dhe kontaktet politike në nivel të lartë mes dy vendeve, kanë vijuar edhe në kuadër të takimeve rajonale dhe atyre informale. Ky dialog politik dhe dinamik shërben në funksion të përmbushjes së angazhimeve tona strategjike për anëtarësim në BE, si dhe synimeve për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, për identifikimin e rrugëve dhe formave të përbashkëta për parandalimin e trafiqeve ilegale, për rritjen e sigurisë dhe kontrollit të kufijve, si dhe bërjen më ekektiv dhe gjithëpërfshirës të bashkëpunimit rajonal.

Zbulo më shumë për shërbimet e Ambasadës

Zbulo më shumë për trokitjen virtuale

 

Go Top