Ambasada e Republikes se Shqiperise ne Slloveni

Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – Slloveni

Bashkëpunimi politik

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë janë vendosur më 9 mars 1992. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Slloveninë konsiderohen shumë të mira, të qëndrueshme dhe pa asnjë çështje të hapur. Midis palëve është zhvilluar një dialog politik konstruktiv, si në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe ashtu edhe për situatën në rajon dhe më gjerë. Shkëmbimi  i vizitave të nivelit të lartë, takimet në kuadrin e organizatave ndërkombëtare dhe forumeve shumëpalëshe kanë ofruar  përmbajtje cilësore të marrëdhënieve dypalëshe, duke krijuar një klimë edhe më intensive bashkëpunuese në shumë fusha.

Sllovenia ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Slovenia është një vend mik dhe partner i rëndësishëm, në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ajo është avokate e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndaj Shqipërisë Sllovenia ka ofruar mbështetje të pakushtëzuar gjatë të gjitha etapave të proçesit të integrimit, si për marrjen e statusit të vendit kandidat, ashtu dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kuadri ligjor që rregullon marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë është i gjerë dhe i shtrirë në shumë fusha. Janë mbi 30 marrëveshje e protokolle të bashkëpunimit dypalësh, të cilat mbulojnë fusha si politika e jashtme, ekonomia dhe tregtia, transporti, arsimi, shkenca, kultura, turizmi, shëndetësia, financat, siguria, etj. Ndërkohë, disa marrëveshje të tjera të bashkëpunimit dypalësh janë në proces.

Promovimi i bashkëpunimit ekonomik dhe i shkëmbimeve tregtare përbëjnë prioritet për të dy vendet. Me gjithё vullnetin politik të shprehur nga të dyja palët, si  dhe potencialet reale që ekzistojnë, nuk është arritur që të shfrytëzohen të gjitha hapësirat dhe mundësitë  që  ky bashkëpunim të shënojë rritje të qenësishme të shkëmbimeve tregtare dhe investimeve. Sesioni i II-të i Komisionit të Përbashkët Ekonomik, që u zhvillua në Lubjanë, në datat 16-17 qershor 2014, përcaktoi fushat e bashkëpunimit bilateral për çështjet ekonomike dhe fushat e tjera.

Shkëmbimet kulturore

Promovimi i imazhit të Shqipërisë përbën përparësi të punës të Ambasadës së Shqipërisë. Ekspozitat shqiptare të pikturës e skulpturës, fotoekspozitat e natyrës e të turizmit shqiptar, prazantimi i Shqipërisë përmes programeve sllovene të radios e televizionit, simpoziumet shkencore kushtuar lidhjeve të hershme shqiptaro-sllovene, prezantimi i filmit shqiptar për publikun sllovene, etj., kanë sjellë më afër të dy popujt dhe të dyja vendet tona. Njëherazi këto aktivitete kanë shërbyer si nxitje për thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Sllovenisë edhe në fusha të tjera.

Diaspora shqiptare

Prania shqiptare në Slloveni ka një jetëgjatësi gati 90-vjeçare. Diaspora shqiptare në Slloveni është kryesisht rezultat i lëvizjeve të shqiptarëve brenda ish-Jugosllavisë. Në Slloveni jeton një komunitet shqiptar prej rreth 10 mijë vetësh, të cilët janë kryesisht nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Një numër i kufizuar shqiptarësh nga Shqipëria është vendosur në Slloveni pas viteve 90-të të shekullit të kaluar. Disa nga përparësitë e punës me diasporën shqiptare kanë qenë integrimi më i mirë në shoqërinë sllovene, përmirësimi i statusit të komunitetit shqiptar në Slloveni, hapja dhe funksioniomi i shkollave të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, ruajtja e kulturës, traditave dhe identitetit shqiptar, etj. Shqiptarët e Sllovenisë përfaqësojnë urë lidhëse e miqësie ndërmjet popullit shqiptar dhe atij slloven.

 

 Zbulo më shumë për shërbimet e Ambasadës

 Zbulo më shumë për trokitjen virtuale

 

 

Go Top