Ky informacion është për qytetarët shqiptarë, të cilët udhëtojnë në Izrael me pasaportë shqiptare të vlefshme biometrike, për vizita të shkurtra për qëllime turistike, dhe reflekton respektimin e rregullave për hyrjen, lëvizjen dhe qëndrimin në territorin e shtetit të Izraelit.
Autoritetet e Ministrisë së Brendshme të Izraelit (apo territoreve brenda Izraelit), janë përgjegjës për vendosjen dhe zbatimin e rregullave të hyrjes në shtetin e Izraelit.
Duhet të kini parasysh se pavarësisht se keni me vete dokumentat e vlefshme të udhëtimit, si pasaporta e vlefshme biometrike, akomodimi në hotel, bileta vajtje-ardhje, dokument që vërteton se keni mjaftueshëm të ardhura financiare, si dhe një pikë kontakti në Izrael nëse nuk do qëndronin në hotel, vendimi per te hyrë në Izrael është në autoritetin e oficerit të sigurisë në aeroportin Ben Gurion.
Për më tepër informacion, lutemi kontaktoni embassy.telaviv@mfa.gov.al ose tel: 00972 (0) 54-904-2813
Vizat
Nëse udhëtoni për qëllime turistike, shtetasit shqiptarë nuk kanë nevojë për viza për të vizituar Izraelin. Në hyrje të Aeroportit Ben Gurion, vizitorëve u jepet një kartë hyrëse-(entry visa) në vend të një stampe në pasaportë, për një periudhë deri në 3 muaj. Ju duhet ta mbani me vete këtë kartë, në pasaportë, deri në momentin kur largoheni nga Izraeli, pasi kjo është prova e qëndrimit tuaj të ligjshëm në Israel, dhe mund t’ju kërkohet, nëse udhëtoni në territoret palestineze, në pikat kufitare.
Nëse ju refuzohet hyrja në Izrael, do pajiseni me një dokument refuzim-hyrje, lëshuar nga Ministria e Brendshme e Izraelit, e cila ndalon që shtetasi të udhëtojë përsëri në Izrael për një periudhë të caktuar kohe. Në raste të vecanta, mund t’ju refuzohet hyrja dhe të vendoset në pasaportë një vulë refuzimi.
Sqarojmë se:
Është në autoritetin e shtetit të Izraelit të vendosë nëse një i huaj ka të drejtë të hyjë në Izrael. Nëse jeni të interesuar për viza hyrëse, studentore etj në Izrel, duhet të kontaktoni Ambasadën e Izraelit në Tiranë.
Nëse qëndroni në Izrael për arsye punësimi. Ky qëndrim konsiderohet i paligjshëm dhe do ndaloheni dhe më tej deportoheni në Shqipëri. Ky është një proces, i cili mund të zgjasë nga disa ditë në disa muaj, me argumentin e emigracionit të paligjshëm. Ambasada shqiptare e ka të pamundur të përfshihet në politikat dhe procedurat në lidhje me emigracionin e paligjshëm të një vendi tjetër.
Vlefshmëria e pasaportës
Pasaporta juaj duhet minimalisht e vlefshme 6 muaj nga data e hyrjes në Izrael apo territoret e pushtuara.
Udhëtime në vende të tjera në Lindjen e Mesme
Nëse këni udhëtuar më parë në vende të Lindjes së Mesme, vendimi për të hyrë në Izrael varet nga autoritetet e sigurisë të aeroportit Ben Gurion, dhe udhëtari mund të kalojë nëpër procedura të zgjatura kontrolli. Nëse keni ndonjë shqetësim lidhur me udhëtimet tuaja të mëparshme në këtë rajon, kontaktoni Ambasadën e Izraelit në Tiranë, për tju informuar më në detaje.
Autoritetet e Sigurisë në Aeroportin Ben Gurion
Nëse udhëtoni në Izrael, për vetë specifikën e një vendi të tillë me nivel të lartë sigurie, duhet të jeni të përgatitur për procedura të gjata pyetjesh dhe kontrollesh nga autoritetet e sigurisë të Aeroportit, si në hyrje, ashtu dhe në dalje të Izraelit. Laptop apo pajisje elektronike mund t’ju sekuestrohen për inspektim dhe tju ruhen në bagazhin e avionit dhe t’ju jepet në kthim në Shqipëri.